Pas protestave masive, mbyllen rreth 500 shkolla të mesme në Francë

05 tetor 2026 | 08:20

Deri në 500 shkolla të mesme në Francë mund të mbyllen pjesërisht ose plotësisht ditën e sotme, pas përplasjeve të ditëve të fundit mes policisë dhe studentëve protestues.

Ministri francez i Arsimit, Edouard Geffray deklaroi të dielën se mësimi do të pezullohet plotësisht ose pjesërisht në rreth 400 deri në 500 shkolla, pasi kushtet e sigurisë nuk janë përmbushur.

Sipas tij, që prej nisjes së protestave, 24 shkolla janë djegur ose janë dëmtuar rëndë nga protestuesit.

Mijëra nxënës kanë dalë në protesta për të kundërshtuar gjendjen e arsimit në vend. Protestat nisën javën e kaluar në Paris dhe më pas u përhapën edhe në qytete të tjera, mes tyre Montpellier, Nantes dhe Marseille.

Nxënësit dhe protestues të tjerë kanë shprehur pakënaqësi për mungesën e mësuesve, klasat e mbipopulluara dhe gjendjen e amortizuar të godinave shkollore.

Të premten, ministri francez i Drejtësisë, Gerald Darmanin deklaroi se 735 nga rreth 3,700 shkollat në Francë ishin prekur në një mënyrë ose në një tjetër nga protestat e dhunshme.

Ministri i Arsimit paralajmëroi se numri i shkollave të prekura të hënën mund të jetë i ngjashëm me atë të së premtes. Megjithatë, ai tha se synohet një rikthim gradual dhe i pjesshëm i mësimit, aty ku kushtet e sigurisë e lejojnë.

Geffray akuzoi gjithashtu disa aktivistë, veçanërisht nga e majta ekstreme, se kanë ndërhyrë në lëvizjen e nxënësve, duke e devijuar atë nga kërkesat e tyre dhe duke nxitur akte dhune.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Sot me fillim nga ora 08:00 do të protestohet para…