LDK-ja nuk votoi për ndryshimet në Ligjin për Specialen, jep dorëheqje nga kjo parti asamblisti Labinot Mirena
Asamblisti i LDK-së në Kuvendin Komunal të Obiliqit, Labinot Mirena, ka dhënë dorëheqje të parevokueshme nga të gjitha strukturat e Lidhjes Demokratike të Kosovës.
Mirena ka bërë të ditur se mandatin në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdojë si asambleist i pavarur.
Ai ka thënë se vendimi i tij lidhet me mospajtimin ndaj qëndrimit të LDK-së për krerët e UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
“Ky vendim shpreh mospajtimin tim të thellë me qëndrimin e LDK-së ndaj krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë. Për mua, kjo nuk është vetëm çështje politike apo partiake, por çështje parimesh dhe bindjesh personale”, ka shkruar Mirena në “Facebook”.
“Prandaj, nga sot mandatin tim në Kuvendin Komunal të Obiliqit do ta vazhdoj si asambleist i pavarur, me qëndrime të qarta dhe me përgjegjësi para qytetarëve të Obiliqit që më kanë dhënë besimin për t’i përfaqësuar”, ka deklaruar ai.



