Çitaku: Është mbushur ndërtesa e Kuvendit me forca policore. Me urdhër të kujt? Për çka?
Deputetja e PDK-së, Vlora Çitaku, ka reaguar pas pranisë së shtuar të forcave policore në ndërtesën e Kuvendit të Kosovës.
Çitaku ka ngritur pyetje se me urdhër të kujt janë vendosur forcat policore dhe për çfarë arsye, duke thënë se situata nuk duhet të eskalohet.
Ajo ka deklaruar se në rrugë dhe sheshet e Prishtinës ndodhen qytetarë, përfshirë fëmijë të dëshmorëve dhe të rinj e të reja që, sipas saj, kanë dalë për të kërkuar votimin e ligjit për Dhomat e Specializuara.
Reagimi i saj në ‘Facebook’:
Është mbushur ndërtesa e Kuvendit të Kosovës me forca policore.
Me urdhër të kujt? Për çka?
Nuk po na godet e sulmon askush. Ka vetëm një thirrje popullore: të votohet ligji për Dhomat e Specializuara.
Në rrugë e në sheshe janë vajzat e djemtë tanë. Janë fëmijë të dëshmorëve. Janë të rinj e të reja që e duan Kosovën. Që e duan UÇK-në. Që kanë dalë të kërkojnë votimin e një ligji që tashmë është miratuar në parim me 91 vota.
Albin, eja në Kuvend.
Ta votojmë ligjin.
Mos e eskalo situatën.
Ta përmbyllim këtë çështje me votë, me përgjegjësi dhe me qetësi.



