Shefqet Hoxha – Sheki konfirmon pjesëmarrjen në Big Brother VIP Kosova 5
Muzikanti dhe kitaristi i njohur, Shefqet Hoxha – Sheki, ka konfirmuar pjesëmarrjen në edicionin e pestë të Big Brother VIP Kosova.
Në një intervistë për ATV, Hoxha ka treguar se ishte ftuar edhe vitin e kaluar për t’iu bashkuar formatit, por atëherë nuk kishte arritur marrëveshje me produksionin.
Këtë vit, situata ka ndryshuar dhe palët janë dakorduar që ai të bëhet pjesë e spektaklit.
“Po, do të jem. Vitin e kaluar më kanë ftuar, nuk jemi dakorduar, sivjet u dakorduam edhe do të më shihni”, është shprehur ai.
Ai ka zbuluar se nuk ka ndjekur asnjë episod të Big Brother dhe se do të hyjë në shtëpi pa një strategji të caktuar.
“Asnjë episod nuk e kam shikuar. Apriori aty nuk i pranoj, por fukaraja po ia bëjke, me trokit në derë të hasmit. Me pas pensionin më të madh ndoshta nuk kisha shkuar”, ka deklaruar muzikanti.
Ka pranuar gjithashtu se një nga faktorët kryesorë në vendimin për të marrë pjesë ka qenë edhe pagesa.
“Njëra nga arsyet ishte pagesa, pagesa ishte qendrore. Sa do të qëndroj aty do të shohim. Hiç nuk e di, asgjë nuk kam. Do të shkoj me spontanitet të jetës”, ka thënë Hoxha.
Kitaristi i njohur duket se është i gatshëm ta përjetojë këtë eksperiencë pa shumë parashikime.
Pjesëmarrja e Shekit pritet të jetë një nga risitë e edicionit të pestë të Big Brother VIP, ndonëse mbetet të shihet se si do të përshtatet muzikanti me jetën dhe dinamikat brenda shtëpisë.



