Luis de la Fuente për Yamalin: E ka ‘ankthin’ e një gjeniu
Luis de la Fuente ka lavdëruar dëshirën e pandalshme të Lamine Yamalit për të shkëlqyer para udhëtimit të Spanjës në Kroaci të martën mbrëma, në xhiron e katërt të Ligës së Kombeve të UEFA-s. Anësori i Barcelonës e ka bërë trajnerin e La Rojas një admirues të madh të tij.
Duke folur për ndeshjen në konferencën për shtyp, De la Fuente tha: “Yamal ka ankthin e një gjeniu, ankthin e një talenti të jashtëzakonshëm. Dhe ky ankth këtu nuk është në kuptim negativ, pasi ai është gjithmonë i uritur për më të mirën, sepse dëshiron të jetë më i miri”.
Siç raporton “Mundo Deportivo”, trajneri shtoi: “Kemi një ekip me pasion të jashtëzakonshëm, sepse asnjë nga lojtarët e tij nuk lodhet kurrë së konkurruari”.
Lamine ka shënuar golin e parë në të tri ndeshjet e Spanjës gjatë këtij grumbullimi të kombëtares.
De la Fuente nuk konfirmoi nëse ai do të jetë titullar, por vuri në dukje formën e adoleshentit dhe faktin se ai ka qenë lojtari më i angazhuar i skuadrës gjatë këtij grumbullimi.
“Të gjithë lojtarët duan të luajnë, pastaj ne vlerësojmë se sa e përshtatshme është kjo”, shpjegoi ai. “Lamine është në kulmin e nivelit të tij dhe është një garues i lindur. Ne gjithmonë kemi qenë të vendosur të zgjedhim formacionin më të mirë të mundshëm për çdo ndeshje dhe këtë kemi bërë gjatë gjithë këtij turneu”, shtoi ai.
Edhe Dani Olmo mori lëvdata, ndërsa kjo ndeshje ka një peshë të veçantë për shkak të historisë së tij në Kroaci.
Olmo ishte titullar ndaj Anglisë dhe Republikës Çeke, por mungoi në përballjen e parë me Kroacinë. Për të, trajneri spanjoll tha: “Ai e kupton plotësisht rëndësinë e kësaj ndeshjeje. Do të vlerësojmë kohën më të përshtatshme për Danin që të luajë në ndeshje, por ai është shumë i emocionuar dhe është shumë i dashur në Kroaci”.
Trajneri i La Rojas më pas vlerësoi cilësitë e Kroacisë dhe hodhi poshtë rëndësinë e humbjes së saj 7-0 ndaj Anglisë.
“Për mua, ata janë një ekip i madh”, komentoi De la Fuente.
“Ata kanë qenë një nga kombëtaret më të rëndësishme në vitet e fundit. Ajo që ndodhi në ndeshjen e fundit ishte një incident i veçuar. Do të gjejmë një atmosferë pasionante dhe emocionale dhe kjo është ajo që na pëlqen. Do të jetë një ndeshje e madhe. Më pëlqen ta ndiej entuziazmin e tifozëve, pavarësisht nëse na mbështesin apo janë kundër nesh”, vazhdoi ai.
Spanja kryeson grupin me nëntë pikë pas tri fitoreve radhazi. Kroacia renditet e treta me tri pikë.



