Messi përgatitet për lamtumirën me kombëtaren para 80 mijë shikuesve, biletat u shitën për dy orë

05 tetor 2026 | 16:08

Dhe momenti po vjen. Lionel Messi do të luajë ndeshjen e tij të 208-të dhe të fundit me kombëtaren argjentinase.

Ai ka pranuar homazhin e propozuar nga Federata Argjentinase, e cila për festën e madhe të numrit 10 ka zgjedhur Beninin si “sparring partner”.

21 VJET SHËRBIM: Messi do t’i japë lamtumirën kombëtares në “Monumental Stadium”, me një kapacitet prej mbi 80 mijë vendesh, ku biletat janë shitur në vetëm dy orë, 21 vjet pas debutimit të tij me Hungarinë, i vetmi kundërshtar me të cilin ka debutuar edhe legjenda tjetër e futbollit argjentinas, Diego Armando Maradona, me fanellën e “Albiceleste”.

Diego Maradona e ka nisur pushtimin e botës nga “Bombonera” më 27 shkurt 1977, ndërsa Lionel Messi nga “Puskas Arena” më 17 gusht 2005, ku është ndëshkuar me karton të kuq pas pak sekondash.

Ka qenë një debutim surreal dhe një karrierë e pafund, që është mbyllur me dy finale botërori radhazi, njëra e fituar ndaj Francës në Katar dhe tjetra e humbur ndaj Spanjës në New Jersey dy muaj e gjysmë përpara.

Messi ishte i shkatërruar nga sëmundja e babait të tij dhe, pak pas ndarjes nga jeta të të atit, futbollisti ka deklaruar tërheqjen nga kombëtarja.

MOMENTI I VËSHTIRË: Dhe këtu ka nisur një tjetër debat i stërzgjatur, por pa shumë vlerë. Federata Argjentinase po përjeton një moment shumë të trazuar.

Presidenti Claudio Tapia është në proces për evazion fiskal dhe krime të tjera ekonomiko-administrative dhe, për të lënë vendin, duhet të kërkojë autorizim formal, i cili vjen vetëm pas një pagese të majme.

Trajneri Scaloni është drejt mbylljes së kontratës dhe prej muajsh po mendon largimin.

Vetë Messi nuk ka qenë në favor të idesë për këtë ndeshje homazh, sepse e ka konsideruar si lojën e fundit të AFA-së për të siguruar të ardhura të konsiderueshme falë emrit të tij.

KUNDËRSHTARË TË DOBËT: Në fund ai ka pranuar, por rreth ndeshjes është krijuar një lloj polemike.

Për këtë pauzë të ndeshjeve të kombëtareve, Argjentina ka vendosur të luajë tri ndeshje miqësore në shtëpi me Bolivinë, Burkina Fason dhe Beninin.

“Sigurisht që do të më pëlqente të luaja me kundërshtarë më të fuqishëm”, ka thënë trajneri Scaloni pa iu ardhur shumë rrotull fjalëve.

Bolivia është mundur 4-0, ndërsa Burkina Faso 7-0, në atë që është përkufizuar si “miqësorja e turpit” ndaj një skuadre U23, duke qenë se lojtarët e skuadrës së parë e kanë bojkotuar sfidën.

Federata Argjentinase mbështetet te një agjenci kolumbiane që gjen federata të vogla që nuk pretendojnë para, mund të udhëtojnë me linja ajrore “low cost” dhe të akomodohen në hotele modeste. Në pranverë kanë ardhur Mauritania dhe Zambia.

Burkinezët kanë refuzuar, ndërsa tani është Benini që ka pranuar të marrë pjesë falas në lamtumirën e Messit, duke u kënaqur që të shfaqet në një foto historike.

Lionel Messi do të kërkojë të pasurojë bilancin e tij, që është tashmë i jashtëzakonshëm me 125 gola me kombëtaren. Kjo edhe sepse është ende gara me Cristiano Ronaldon për kuotën e 1000 golave; jemi në 979 kundrejt 931 në favor të portugezit, i cili sapo është larguar nga kombëtarja në rrethana melodramatike, në këtë “sliding door” emocional mes Evropës dhe Amerikës Latine.

NJË KALVAR I VËRTETË: Për të përshëndetur Lionel Messin do të jenë thuajse të gjithë miqtë e tij që e kanë shoqëruar në dy botërorët e fundit, një komb i tërë që ka vuajtur jo pak për ta dashur aq sa ka arritur ta akuzojë se nuk e ka ndier mjaftueshëm fanellën “Albiceleste” dhe se në kombëtare nuk ka luajtur kaq mirë sa te Barcelona, e cila e ka mirëpritur që kur ishte 13 vjeç.

Ka qenë një kalvar i gjatë për Lionel Messin; katër finalet e para të humbura, Copa America 2007, 2015 e 2016 dhe Botërori i vitit 2014.

Gjërat kanë ndryshuar me ardhjen e Lionel Scalonit, i cili ka luajtur me Messin në tri ndeshje, duke përfshirë edhe debutimin e 39-vjeçarit në Hungari.

Dhe me dy Lionelat, në vitin 2021, më pak se tetë muaj nga ndarja nga jeta e Maradonës, Argjentina është kthyer të fitojë Copa America, një trofe që nuk e ngrinte që nga viti 1993.

Më pas, në vitin 2022, ka ardhur suksesi në Finalissima ndaj Italisë dhe titulli botëror në Katar, i treti pas atyre të viteve 1978 dhe 1986 me Maradonën.

Krahasimet me “El Pibe de Oro” më në fund janë ndalur. Argjentina ka rënë në këmbët e D10S-it të ri, përcjell “TCH”.

Messi ka fituar edhe Copa America 2024 dhe këtë verë, në moshën 39-vjeçare, ka udhëhequr Argjentinën deri në aktin e fundit të Botërorit.

Në këto 21 vjet me kombëtaren, Lionel Messi ka rishkruar historinë e futbollit, duke vendosur shumë rekorde, dhe në mbrëmjen e së martës do të marrë përqafimin e fundit të një kombi që futbollistikisht mbetet jetim për herë të dytë.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Hysen Kasumaj shpall të pavlefshme dëftesën e plotë të sh.f.m.u.…