Nis Java Ndërkombëtare e Personelit Akademik dhe Administrativ në Universitetin e Prishtinës

06 tetor 2026 | 11:46

Për herë të parë në Universitetin e Prishtinës ka nisur Java Ndërkombëtare e Personelit Akademik dhe Administrativ që synon diskutimin e sfidave të ndërkombëtarizimit në arsimin e lartë, në një mjedis gjithnjë e më kompleks global, si dhe njohjen e profesorëve dhe personelit administrativ të ardhur nga jashtë me UP-në, Prishtinën dhe Kosovën.

Java u organizua nga menaxhmenti i UP-së, në bashkëpunim me Departamentin për Bashkëpunim Ndërkombëtar të Universitetit të Prishtinës dhe me ndihmën e prodekanëve të Fakultetit të Ekonomisë dhe të Filologjisë dhe profesorëve të këtyre fakulteteve.

Java e Personelit Ndërkombëtar nisi me fjalën përshëndetëse të rektorit, prof. Arben Hajrullahu.

Rektori Hajrullahu, para 25 përfaqësuesve të personelit akademik e administrativ nga institucione të ndryshme të arsimit të lartë nga shumë vende të botës, paraqiti të kaluarën, të tashmen dhe planet për të ardhmen e UP-së.

Pastaj një fjalë rasti e mbajti prorektorja për ndërkombëtarizim dhe shkëmbim akademik, prof. Rozafa Basha.

Prorektorja Basha, duke iu drejtuar profesorëve dhe personelit administrativ të institucioneve partnere, tha se gjatë ditëve të ardhshme do të kemi mundësi që së bashku të diskutojmë sfidat kryesore dhe ndryshimet që po e formësojnë sot ndërkombëtarizimin dhe arsimin e lartë.

Por në radhë të parë ajo theksoi se këto takime do të jenë mes njerëzish që kanë interesa dhe qëllime të përbashkëta.

Dita e parë e Javës së Personelit Akademik Ndërkombëtar vazhdoi me njohje të mysafirëve me objektet, personelin dhe kampusin e Universitetit të Prishtinës dhe më pas në Qendrën për Përsosmëri në Mësimdhënie të Fakultetit të Filologjisë u zhvillua një sesion informues në lidhje me gjuhën dhe kulturën e Kosovës, nën drejtimin e profesoreshës Blerta Mustafa.

Java e Personelit Akademik Ndërkombëtar do të vazhdojë me të gjitha çështjet që lidhen me ndërkombëtarizimin dhe shkëmbimet akademike e kulturore.

Përveç nga Universiteti i Prishtinës, kjo javë mbështetet edhe nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, Ministria e Kulturës dhe Turizmit, Komuna e Prishtinës dhe Banka Pro Credit.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Michael Olise po kalon një moment fantastik me fanellën e…