Hektor Beqiri viziton Rexhep Selimin në Hagë: “Na përcolli të fala nga Presidenti Thaçi, Kryetari Veseli dhe Baca Jakup”

06 tetor 2026 | 16:52

Veprimtari i çështjes kombëtare dhe organizatori i “Liria ka emër” i diasporës, Hektor Beqiri, ka vizituar në Hagë ish-pjesëtarin e UÇK-së, Rexhep Selimi. Përmes një postimi, Beqiri ka rrëfyer takimin me Selimin, duke theksuar se, pavarësisht situatës së rëndë pas vendimit të 16 shtatorit, ai e ka gjetur Selimin të fortë, me moral të lartë dhe me besim të palëkundur në drejtësi. “Pas verdiktit të tmerrshëm të 16 shtatorit, sot u riktheva sërish në Hagë, këtë herë për një takim vëllazëror me Rexhep Selimin, 10-shin e UÇK-së”, ka shkruar Beqiri.

Ai ka treguar se takimi me Selimin i ka lënë përshtypje të veçantë. “Rexha erdhi duke kënduar! Dhe kjo është përgjigjja më e fuqishme ndaj padrejtësisë: qëndrueshmëria, dinjiteti dhe besimi. As shenja më e vogël e dorëzimit nuk ishte në të”, ka shkruar Beqiri. Sipas tij, gjatë takimit, Rexhep Selimi ka përcjellë të fala edhe nga ish-presidenti Hashim Thaçi, ish-kryetari i Kuvendit Kadri Veseli dhe Jakup Krasniqi.

“Rexha na përcolli të fala edhe nga Presidenti Thaçi, nga Kryetari Veseli dhe nga Baca Jakup. Të gjithë presin lajme të mira nga Kosova e tyre, nga vendi për të cilin sakrifikuan dhe luftuan”, ka deklaruar Beqiri. Ai ka theksuar gjithashtu se Selimi dhe bashkëluftëtarët e tij kanë shprehur mirënjohje për qytetarët e Kosovës dhe të gjithë ata që kërkojnë drejtësi për ish-pjesëtarët e UÇK-së. Beqiri ka vlerësuar se qëndrueshmëria e të akuzuarve në Hagë është një mesazh edhe për diasporën, e cila, sipas tij, do të vazhdojë aktivitetet, protestat dhe tubimet në mbështetje të kërkesave për drejtësi. “Sepse kjo nuk është vetëm një betejë për katër burra. Është betejë për të vërtetën. Është betejë për drejtësinë. Është betejë për dinjitetin e luftës sonë çlirimtare”, ka shkruar Beqiri. Në fund, ai ka përcjellë mesazhin: “Ne nuk do të ndalemi! Do të vazhdojmë të flasim, të protestojmë, të organizohemi dhe të kërkojmë drejtësi – deri në arritjen e qëllimit.”

“LIRI PËR ÇLIRIMTARËT!”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i OVLUÇK-së, Hysni Gucati, u ka bërë thirrje deputetëve…