Aktivizohet prokuroria, autorizon IPK-në për hetimin e veprimeve të policisë dje
Prokuroria Themelore në Prishtinë ka njoftuar se ka autorizuar Inspektoratin Policor të Kosovës (IPK) lidhur me veprimet policore të ndërmarra gjatë protestave të ditës së djeshme.
Në njoftimin e fundit është bërë e ditur se hetuesit e IPK-së do të ndërmarrin veprime për trajtimin e secilit rast që lidhet me hapësirat përreth objekteve të Qeverisë dhe Kuvendit të Republikës së Kosovës.
“Qëllimi i autorizimit është grumbullimi i informatave dhe provave relevante lidhur me tejkalimin eventual të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës, sa i përket shpërndarjes së protestuesve.
Prokuroria Themelore në Prishtinë, në bashkëpunim dhe koordinim të veprimeve me IPK-në, do të ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme ligjore me qëllim të ndriçimit të secilit rast ku dyshohet të jetë përdorur forcë përtej nevojës dhe autorizimeve që burojnë nga legjislacioni në fuqi.
Prokuroria Themelore në Prishtinë mbetet e përkushtuar në ndërmarrjen e të gjitha veprimeve hetimore, me qëllim të sqarimit të plotë të të gjitha rrethanave të krijuara gjatë zhvillimit të protestave”, është thënë në njoftim.



