Murati me mesazh për Hamzën: Jepni “po”-në, pastaj Kurti e Abdixhiku e bindin Sejdiun
Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka reaguar lidhur me tërheqjen e Bekim Sejdiut nga gara për president, duke thënë se vendimi për shmangien e zgjedhjeve të reja mund të varet nga qëndrimi i kryetarit të PDK-së, Bedri Hamza.
“Disa media u nxituan që ta rikonfirmojnë tërheqjen e prof. Bekim Sejdiut për president të Republikës, në vend se ta marrin përgjigjen nga kryetari i PDK-së, Bedri Hamza, për ofertën e re të kryeministrit Kurti: edhe me vetëm gjysmën e grupit parlamentar të PDK-së që e votojnë qoftë edhe kundër Bekim Sejdiun për President, ne i japim votat tona për Projektligjin mbi Gjykatën Speciale në lexim të dytë! Të dashur gazetarë, pyeteni së pari Hamzën. Le të thotë Bedri Hamza PO, dhe sigurisht që me Prof. Bekim Sejdiun mund të shkojnë e flasin Kurti e Abdixhiku për ta bindur që të mos shkojë vendi në zgjedhje të reja”, ka shkruar Murati në “Facebook”.
Reagimi i tij ka ardhur pas deklaratave të Sejdiut për “Infokus”, ku ai ka konfirmuar se është tërhequr nga gara dhe se për këtë vendim i ka njoftuar Kurtin dhe Abdixhikun. Sejdiu gjithashtu ka bërë të ditur se aktualisht nuk ndodhet në Kosovë.
Murati ka kërkuar nga mediat që fillimisht të marrin një përgjigje nga Hamza për këtë ofertë, duke argumentuar se, në rast të një përgjigjeje pozitive, mund të hapet rruga për një përpjekje të re për rikthimin e Sejdiut në garë.
Bekim Sejdiu ishte propozuar si kandidat i përbashkët i Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së për president, por ka vendosur të tërhiqej pasi gjashtë deputetë të LDK-së nuk kanë dhënë garanci se do ta mbështesnin me votë.



