Asllani dhe Hysaj mes yjeve të mëdhenj – pjesë e formacionit më të mirë të xhiros në Ligën e Kombeve
Kristjan Asllani dhe Elseid Hysaj janë përfshirë në formacionin më të mirë të raundit të katërt të Ligës së Kombeve sipas vlerësimeve të Sofascore, duke u renditur përkrah disa prej emrave më të mëdhenj të futbollit evropian dhe botëror.
Dy futbollistët e Kombëtares së Shqipërisë janë pjesë e një formacioni ku gjenden edhe Harry Kane, Michael Olise, Desire Doue, duke i dhënë një tjetër vlerë paraqitjeve të kuqezinjve në këtë xhiro të Ligës së Kombeve.
Vëmendjen kryesore e merr padyshim Kristjan Asllani, i cili është vlerësuar me notën maksimale 10 nga Sofascore.
Mesfushori ishte heroi i Shqipërisë në fitoren 2-1 ndaj San Marinos, duke shënuar të dy golat e takimit.
Asllani e zhbllokoi ndeshjen në minutën e 11-të me një goditje spektakolare nga distanca, ndërsa në minutat shtesë realizoi edhe nga pika e bardhë për t’i dhënë Shqipërisë tri pikët.
Kjo paraqitje e bëri atë një nga futbollistët më të spikatur të gjithë xhiros së katërt. Madje, Sofascore e kishte vlerësuar Asllanin edhe me 8.5 në fitoren 2-0 ndaj Bjellorusisë në ndeshjen hapëse të Shqipërisë, ku ai gjithashtu shënoi.
Krahas Asllanit, në formacionin më të mirë është përfshirë edhe Elseid Hysaj, i cili ka marrë vlerësimin 7.9 nga Sofascore.
Mbrojtësi i djathtë ishte titullar në sfidën ndaj San Marinos dhe e kompletoi ndeshjen e tij pa u zëvendësuar.
Për Hysajn, kjo vjen pas një tjetër paraqitjeje të mirë në ndeshjen e parë të këtij cikli, ndaj Bjellorusisë, ku ai ishte titullar dhe kontribuoi edhe me një asistim për golin e Ernest Muçit në fitoren 2-0./




