Messi ia jep lamtumirën Argjentinës me një gol e dy asistime, në një natë emocionale
Lionel Messi e ka mbyllur në mënyrën më të bukur të mundshme karrierën me kombëtaren e Argjentinës, duke kontribuar në të tre golat e fitores 3-0 ndaj Beninit në stadiumin “Monumental” të Buenos Airesit.
Në ndeshjen e tij të 208-të me fanellën e Argjentinës, Messi ka regjistruar një gol dhe dy asistime, duke i dhënë lamtumirën kombëtares pas më shumë se dy dekadash.
Fillimisht, në minutën e 48-të, Messi ka ekzekutuar një goditje nga këndi, nga e cila Nicolás Otamendi ka shënuar me kokë për 1-0.
Më pas, në minutën e 61-të, “Pleshti” ka asistuar për Nico Paz, i cili ka dyfishuar epërsinë e Argjentinës.
Në minutën e 71-të ka ardhur momenti i shumëpritur. Messi ka fituar dhe ekzekutuar një penallti, duke shënuar golin e tij të 126-të me kombëtaren argjentinase.
Në “Monumental”, mbi 85 mijë tifozë e kanë përcjellë legjendën me ovacione dhe emocione të mëdha.
Messi nuk i ka fshehur lotët gjatë ceremonisë së lamtumirës, ndërsa në fund të ndeshjes është rrethuar nga shokët e skuadrës, kundërshtarët dhe stafi i Argjentinës.
“Të mos vij më këtu do të më dhembë shumë. Do të doja të isha këtu duke luajtur për gjithë jetën, sepse të luash për kombëtaren e Argjentinës është gjëja më e bukur që mund të të ndodhë”, ka thënë Messi pas ndeshjes.
Messi largohet nga kombëtarja si rekorder për paraqitje dhe gola, me 208 ndeshje dhe 126 gola.
Me Argjentinën, ai e ka fituar Kupën e Botës 2022, dy Kupa të Amerikës dhe Finalissiman.
Një kapitull i jashtëzakonshëm është mbyllur në “Monumental”. Messi është larguar siç i ka hije një legjende: me gol, dy asistime dhe lot në sytë e një kombi të tërë.



