Hoti: 15 milionë euro për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike
Ministri për Punë, Familje dhe Vlerat e Luftës Çlirimtare, Andin Hoti, ka bërë me dije se është marrë vendimi për ndarjen e 15 milionë eurove për mbështetjen e familjeve për faturat e energjisë elektrike, gjegjësisht për konsumatorët e cenueshëm.
“Në mbledhjen e pestë të Qeverisë miratuam Programin për Mbrojtjen e Konsumatorëve të Cenueshëm të Energjisë Elektrike 2026-2027, përmes të cilit do të subvencionohen faturat e energjisë për familjet që kanë më së shumti nevojë për mbështetje. Republika e Kosovës ka marrë obligime edhe në kuadër të procesit të integrimit evropian dhe zbatimit të Planit të Rritjes për Ballkanin Perëndimor, i cili parasheh zhvillimin e mekanizmave të qëndrueshëm për identifikimin dhe mbështetjen e konsumatorëve të cenueshëm, përfshirë krijimin dhe mirëmbajtjen e një regjistri funksional të konsumatorëve të cenueshëm”, ka njoftuar Hoti.
Ai ka thënë se në ditët në vazhdim do ta nënshkruaj edhe vendimin me të cilin do të përcaktohen kushtet dhe kriteret për përfitim, në mënyrë që të hapet thirrja për aplikim.
“15 milionë euro mbështetje. Drejtpërdrejt në faturat e familjeve”, ka thënë Hoti.



