BE-ja: Ndryshimet në Ligjin për Gjykatën Speciale bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës
Bashkimi Evropian ka thënë se është thellësisht i shqetësuar nga ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit për Dhomat e Specializuara të Kosovës, të cilat, sipas zyrtarëve të Brukselit, bien ndesh me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës ndaj BE-së.
Ligji është votuar natën e së martës, pak para se Kuvendi të zgjidhte Justina Shiroka Pulën në krye të shtetit të Kosovës, zgjedhje që është përshëndetur nga Brukseli.
“Ne i bëjmë thirrje Kosovës që t’u përmbahet detyrimeve të saj ndërkombëtare për të garantuar pavarësinë gjyqësore të Dhomave të Specializuara të Kosovës, si dhe zotimit për të siguruar llogaridhënie dhe për t’u dhënë drejtësi viktimave dhe familjeve të tyre nga të gjitha komunitetet në Kosovë”, ka deklaruar një zëdhënës i BE-së për “Radio Evropa e Lirë”.
Ai ka kujtuar se Brukseli e ka mbështetur vazhdimisht punën e Dhomave të Specializuara si institucion i pavarur gjyqësor dhe ka këmbëngulur që mandati i tyre aktual dhe pavarësia të respektohen plotësisht.
“Dhomat e Specializuara të Kosovës po vendosin drejtësi bazuar në parimin e përgjegjësisë penale individuale”, ka theksuar zëdhënësi i BE-së.
Në anën tjetër, BE-ja ka përshëndetur daljen nga bllokada institucionale që e kishte mbërthyer Kosovën që nga viti 2025, me zgjedhjen e shefes së shtetit. Brukseli ka thënë se pret rikthimin e stabilitetit institucional, i cili, sipas tij, do t’i mundësojë Kosovës të përparojë në rrugën e saj evropiane dhe të përfitojë plotësisht nga mundësitë që ofron BE-ja.
Zëdhënësi i BE-së ka rikujtuar gjithashtu se Kosovën e pret punë e rëndësishme, përfshirë reformat e lidhura me Planin e Rritjes dhe Reformave, zbatimin e mëtejshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe përparimin në bashkëpunimin rajonal dhe integrimin gradual në Tregun e Vetëm të BE-së.
“Ndonëse BE-ja është e gatshme ta mbështesë Kosovën edhe më tej, partneriteti ynë nënkupton jo vetëm interesa të përbashkëta, por edhe përgjegjësi të përbashkët”, ka nënvizuar zëdhënësi.
Kuvendi i Kosovës e ka zgjedhur Shiroka Pulën presidente të re në minutat e para të 7 tetorit. Zgjedhja ka ardhur pas një marrëveshjeje politike të arritur në minutën e fundit, e cila ka siguruar edhe votat e deputetëve për ndryshimet ligjore që kufizojnë kompetencat e asaj që njihet si Gjykata Speciale.
Para votimit për presidenten, Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, duke e përmbyllur kështu procedurën parlamentare për projektligjin e iniciuar nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK) në opozitë.
Seanca e jashtëzakonshme është thirrur në orët e vona të 6 tetorit, pasi PDK-ja ka pranuar propozimin e Lëvizjes Vetëvendosje (LVV) në pushtet që Shiroka Pula të ishte kandidate për presidente. Kjo ka ndodhur pas një dite të tërë pa rrugëdalje mes partive.
Ndërkohë, protestat kundër ndryshimeve në ligj kanë vazhduar edhe më 6 tetor, një ditë pasi kanë ndodhur përplasjet mes protestuesve dhe Policisë së Kosovës.
Baza juridike për themelimin e Dhomave të Specializuara është këmbimi i letrave i vitit 2014 mes presidentes së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe Përfaqësueses së Lartë të BE-së, Catherine Ashton.
Dhomat kanë selinë në Hagë, por janë pjesë e sistemit gjyqësor të Kosovës. Bashkimi Evropian është mbështetësi kryesor financiar i tyre, me gati 400 milionë euro të dhëna që nga themelimi.



