Montella afër shkarkimit, Turqia mendon për pasuesin e tij

08 tetor 2026 | 11:59

Vincenzo Montella pritet të largohet nga drejtimi i Kombëtares së Turqisë, pas një serie rezultatesh negative që kanë vënë në pikëpyetje vazhdimin e tij në stolin e përfaqësueses.

Sipas mediave turke, Federata Turke e Futbollit (TFF) ka marrë vendimin për ndërprerjen e bashkëpunimit me trajnerin italian. Katër humbjet në po aq ndeshje të fundit të Ligës së Kombeve, së bashku me paraqitjen zhgënjyese në Kampionatin Botëror, kanë ndikuar drejtpërdrejt në këtë vendim.

“Është marrë vendimi për të shkarkuar trajnerin Vincenzo Montella”, raporton e përditshmja turke “Milliyet”.

Sipas të njëjtave burime, drejtuesit e federatës kanë rënë dakord që Montellës t’i paguhen pesë paga mujore si kompensim për ndërprerjen e kontratës me konsensus. Trajneri italian përfiton rreth 183 mijë euro në muaj.

Montella e mori drejtimin e Turqisë në vitin 2023. Gjatë kësaj periudhe, ai e ka udhëhequr përfaqësuesen në 40 ndeshje, duke regjistruar 21 fitore, 14 humbje dhe pesë barazime.

Megjithatë, forma e fundit ka qenë veçanërisht shqetësuese. Në shtatë ndeshjet e fundit, ku përfshihen takimet e Botërorit dhe të Ligës së Kombeve, Turqia ka regjistruar vetëm një fitore, ndërsa ka pësuar gjashtë humbje.

Siç raportohet, largimi i Montellës pritet të zyrtarizohet të premten.

Ndërkohë, Federata Turke e Futbollit tashmë po mendon për pasuesin e tij. Presidenti i TFF-së, Ibrahim Haciosmaoglu, pritet të nisë bisedimet me Arda Turanin, i cili aktualisht është trajner i Shakhtar Donetskut.

Ish-futbollisti i njohur turk shihet si kandidati kryesor për të marrë drejtimin e kombëtares dhe për të nisur një kapitull të ri pas periudhës së Montellës.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas miratimit nga Kuvendi i Kosovës të ndryshimeve në Ligjin…