Presidentja Shiroka-Pula nis detyrën me homazhe në Prekaz dhe te varret e Rugovës e Demaçit
Me marrjen e detyrës, presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka bërë homazhe në Kompleksin Memorial “Adem Jashari” në Prekaz, te varri i ish-presidentit Ibrahim Rugova dhe te varri i veprimtarit Adem Demaçi.
Në Prekaz, presidentja Shiroka-Pula ka nderuar sakrificën sublime të familjes Jashari dhe veprën e komandantit legjendar Adem Jashari.
“Prekazi mbetet simbol i qëndresës dhe sakrificës së pashembullt për atdheun”, ka deklaruar Presidentja.
Gjatë homazheve te varri i ish-presidentit Rugova, ajo ka vlerësuar urtësinë dhe vizionin me të cilin ai e ka udhëhequr Kosovën në një nga periudhat më vendimtare të historisë së saj.
“Trashëgimia e tij politike dhe vizioni për një Kosovë të lirë, demokratike dhe të orientuar drejt botës perëndimore janë udhërrëfyes për ne”, ka theksuar presidentja Shiroka-Pula.
Te varri i veprimtarit Adem Demaçi, presidentja ka nderuar jetën dhe veprën e tij, duke theksuar se ai ia ka kushtuar një jetë të tërë lirisë dhe dinjitetit të popullit të Kosovës.
“Me vendosmërinë dhe sakrificën e tij, Demaçi u bë simbol i qëndresës dhe i mosnënshtrimit përballë padrejtësisë”, është shprehur ajo.
Presidentja Shiroka-Pula ka theksuar se nderimi i këtyre figurave është edhe një rikujtim i themeleve mbi të cilat është ndërtuar shteti i Kosovës, i sakrificës, vizionit dhe qëndresës së brezave.



