Alarm në Madrid, nuk përjashtohet largimi i Mbappes në fund të sezonit
E ardhmja e Kylian Mbappes te Real Madridi ka nisur të vihet në pikëpyetje.
Në Francë kanë nisur spekulimet se sulmuesi mund të largohet nga “Los Blancos” në fund të këtij sezoni, pas një serie episodesh që kanë shkaktuar debat rreth tij në fillim të sezonit.
Në emisionin e njohur francez “After Foot” është hedhur ideja se largimi i Mbappés nga Real Madridi nuk duhet përjashtuar.
“Kam arritur në pikën që pyes veten: Mbappe ende ka dëshirë, por çfarë kërkon? Të krijohet përshtypja se çdo mëngjes zgjohet duke menduar se do t’i bëjë dëm vetes”, ka deklaruar njëri nga gazetarët e “After Foot”.
“Më shumë gabime të tilla nuk mund të grumbullohen. Nuk duhet ta përjashtojmë një largim në fund të sezonit”, ka shtuar ai.
Në Francë është rikthyer në vëmendje edhe episodi i fundit që lidhet me gjurin e Mbappés, i cili duket se e ka prekur jo pak sulmuesin. Real Madridi ka njoftuar më 26 shtator se Mbappe ka pësuar hiperzgjatje të kapsulës së pasme të gjurit të majtë.
“Episodi me gjurin e ka goditur vërtet. Ai ka thënë: ‘Çfarë është kjo? Mënyra se si më trajtuan… Dhe më pas e detyruan të gënjente, duke thënë se asgjë nga këto nuk ishte e vërtetë’”, është shprehur gazetari.
Megjithatë, për momentin bëhet fjalë vetëm për spekulime dhe nuk ka ndonjë konfirmim se Mbappé do të largohet nga Real Madridi në fund të sezonit.
Sulmuesi francez është rikthyer në stërvitje me ekipin dhe po vazhdon përgatitjet me Real Madridin.
Mbetet të shihet nëse kjo situatë do të ketë pasoja afatgjata për Mbappén dhe marrëdhënien e tij me Real Madridin.



