Kryetari i Aleancës: Koha e bllokadave mbaroi, do të jemi opozitë e pakompromis
Kryetari i Aleancës, Ardian Gjini, ka deklaruar se Kosova ka përmbyllur ciklin e konsolidimit të institucioneve, duke i dhënë fund, sipas tij, bllokadave politike dhe zgjedhjeve të vazhdueshme.
Në një postim, ai ka uruar presidenten e re të Kosovës, Justina Shiroka-Pula, duke theksuar se Aleanca nuk ka hyrë në “lojëra të diktuara për pushtet” dhe as në kalkulime politike të minutës së fundit.
Ai ka thënë se Aleanca kishte dalë menjëherë pas zgjedhjeve me një ofertë, të cilën e ka cilësuar si të qartë, të sinqertë dhe pa kushte, me qëllim që vendi të mos shkonte sërish në zgjedhje.
“Kemi qenë të parët që kemi dalë me ofertë të qartë dhe të sinqertë menjëherë pas zgjedhjeve, sepse e kemi ditur që Kosova nuk ka nevojë të zvarritet e të shkojë sërish në zgjedhje”, ka shkruar ai në “Facebook”.
Duke iu referuar qëndrimit të Aleancës për Dhomat e Specializuara, ai ka thënë se partia e tij ka votuar pro ndryshimit të Ligjit për Dhomat e Specializuara, duke theksuar se nuk ka bërë “asnjë pazar”.
Sipas tij, me përfundimin e bllokadave politike, përgjegjësia tash u takon atyre që kanë marrë pushtetin. “Prandaj, nga sot, puna jonë zhvendoset në terren. Aleanca do të jetë çdo ditë në terren, duke takuar e dëgjuar qytetarët në çdo komunë të Kosovës. Ne do të jemi opozitë e pakompromis”, ka deklaruar ai.
Kryetari i Aleancës ka paralajmëruar se partia do të flasë hapur për, siç ka thënë, çdo shkelje në institucionet e vendit, duke përmbyllur mesazhin me deklaratën: “Nuk ka më hapësirë për arsyetime!”.



