Sanije Rexha përkujton bashkëshortin: ‘Sandokani’ ishte dhe mbeti emri më i dashur i historisë sonë kombëtare

08 tetor 2026 | 15:25

Sanije Geci – Rexha ka përkujtuar bashkëshortin e saj, Abedin Rexha – “Sandokani”, në 28-vjetorin e rënies së tij.

Përmes një shkrimi në “Facebook”, ajo ka kujtuar figurën e bashkëshortit të saj, duke e përshkruar atë si një nga figurat e rëndësishme të historisë kombëtare.

“Sot bëhen 28 vite nga dita më e rëndë, kur nga plumba tinëzarë u këput jeta e njërit prej burrave të mëdhenj të kombit, Abedin Rexhës – Sandokanit”, ka shkruar Rexha.

Ajo ka bërë akuza të rënda ndaj Gani Gecit dhe personave që i ka cilësuar si “horra”, duke i fajësuar për vrasjen e Abedin Rexhës.

“Plumbat nga prita tinëzare e armiqve të UÇK-së, Gani Gecit dhe horrave të tij, e rrëzuan trupin e Abedinit, por nuk mundën ta vrasin jehonën e emrit të tij – ‘SANDOKANI’”, ka shkruar ajo.

“Abedini – ‘Sandokani’ ishte dhe mbeti emri më i dashur i historisë sonë kombëtare”, ka shtuar Rexha.

Ajo ka përshkruar edhe personalitetin e bashkëshortit të saj, duke theksuar se që në moshë të re ai është veçuar për maturinë në vendime, bujarinë dhe afërsinë me njerëzit.

“Qysh i ri, ‘Sandokani’ veçohej si një personalitet i matur në vendime, bujar në shpirt dhe i afërt me njerëzit”, ka shkruar ajo.

Geci ka theksuar se në figurën e tij janë bashkuar burrëria, fisnikëria dhe dashuria për familjen, farefisin dhe atdheun.

“Në portretin e tij sy shqiponjë bashkoheshin bukur burrëria, fisnikëria dhe dashuria për familjen, farefisin dhe atdheun. Ishte personalitet që e ndante fatin e vendit si fatin e tij personal”, ka shkruar ajo.

Ajo ka përshkruar gjithashtu Rexhën si luftëtar të guximshëm, të vendosur dhe me aftësi për të marrë vendime në front.

“Si luftëtar i jashtëzakonshëm, ku në front dallohej për guxim, vendosmëri dhe aftësi për të marrë vendime të prera. E njihte terrenin dhe dinte kur duhej të priste e kur duhej të vepronte. Çdo hap në front e shoqëronte me besim të madh në fitore dhe me përgjegjësi edhe më të madhe ndaj bashkëluftëtarëve”, ka shkruar Rexha.

Në fund, ajo ka vlerësuar se Abedin Rexha nuk ka qenë vetëm luftëtar, por edhe njeri i mendimit, organizimit dhe moralit.

“Ai nuk ishte vetëm njeri i pushkës; ishte njeri i mendimit, i organizimit dhe i moralit të lartë. Në çdo përballje sillte me vete guximin e një luftëtari dhe qetësinë e një strategu. Lavdi shekujve, Abedin Rexhës – Sandokanit! Vdekje tradhtarëve!”, ka shkruar Rexha.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kryetari i Skenderajt dhe ish-komandanti i Zonës Operative të UÇK-së…