NËNA STANË MES MIRËNJOHJES DHE HARRESËS

08 tetor 2026 | 17:37

Ibish Neziri

Sapo kishte filluar java e fundit e shtatorit, na pikëlloi lajmi për ndarjen nga jeta të Mehmet Rashitit, veprimtar i LPRK-së – LPK-së në Zvicër. Ishte njeri i qetë, i përkushtuar, nga ata që punën e bënin pa zhurmë, pa krekosje e pa rrahje gjoksi.
Krahas krijimeve të tjera, la edhe vargje të ndjera për pjesëmarrjen e Ahmet Haxhiut dhe Fadil Vatës në Mbledhjen e Dytë të Përgjithshme të LPK-së në Zvicër, ku kishte marrë pjesë edhe vetë.
Në ato vargje kishte kujtim, respekt dhe ndjeshmërinë e njeriut që kishte qenë aty, mes shokëve, në një kohë kur fjala dhe veprimi peshonin shumë.
Meqë nuk arritëm të merrnim pjesë në përcjelljen e tij të fundit, u morëm vesh me Ali Ahmetin dhe Ismet Sylejmanin që më 24 shtator të shkonim për ngushëllime te familja. Ndërkohë, Ismeti kishte biseduar edhe me veprimtarin e hershëm të çështjes kombëtare, Hasan Malajn, – Plakun që të bashkoheshim e të shkonim së bashku.
Në Livoq të Poshtëm e gjetëm familjen e Mehmetit mes miqsh e dashamirësh, duke pritur njerëzit që vinin për të ndarë dhembjen me të. Pasi u larguam nga familja Rashiti, u ulëm për drekë së bashku me Hasan Malajn – Plakun, Ali Ahmetin, Ismet Sylejmanin, Bejtullah Tahirin dhe shokë e bashkëveprimtarë të tjerë. Bisedat silleshin rreth së kaluarës, njerëzve dhe ngjarjeve që na kishin lidhur.
Në një ditë të tillë, kujtimet e sjellin mes të gjallëve edhe atë që sapo është ndarë prej tyre.
Në të kthyer drejt Prishtinës, e pyeta Ismetin për nënën Stanë Gashi.
Kisha lexuar disa herë shkrimet e tij për të: nënë e njëmbëdhjetë fëmijëve dhe, në vitet e luftës, nënë edhe për qindra ushtarë të UÇK-së.
Kilometrat kalonin shpejt. Po aq shpejt afrohej mbrëmja.
Kur iu afruam Slivovës së Gjilanit, Ismeti telefonoi dikë.
— Bëhu gati, se po vij të të marr. Do të ngjitemi te nëna Stanë.
Aty diku nga mesi i fshatit, mori një kthesë djathtas dhe nisi të ngjitej përpjetë, derisa u ndal para një shtëpie.
Aty na priste një burrë në moshë të mesme.
U afrua me një buzëqeshje të lehtë, na përshëndeti dhe hyri në makinë.
Ishte Filipi, njëri nga njëmbëdhjetë fëmijët e nënës Stanë.
U kthyem në rrugën kryesore Prishtinë – Gjilan dhe morëm majtas, në drejtimin nga kishim ardhur.
Pasi përshkuam edhe një copë rrugë, u kthyem djathtas, drejt maleve që po i mbështillte muzgu.
Pas disa kilometrash në një rrugë përplot kthesa arritëm në Brus.
Sapo kaluam kishën, takuam priftin, i cili kishte shërbyer rreth shtatë vjet në Bec të Dushkajës.
Ismeti ndali makinën.
Këmbyem përshëndetjet e pyetjet e zakonshme dhe vazhduam.
Përtej kishës, asfalti mbaroi shpejt.
Makina ngadalësoi dhe nisi të tundej nëpër rrugën e pabarabartë.
Tri a katër herë na u desh të ndaleshim për t’i lënë vend ndonjë makine apo traktori që vinte përballë.
Rruga ishte aq e ngushtë, sa kalimi kërkonte durim dhe kujdes.
Bashkë me mbrëmjen arritëm në Peshter të Brusit.
Në të majtë të rrugës, mbi një shpat të butë, qëndronte shtëpia e nënës Stanë.
Nga jashtë dukej e vogël, por brenda kishte më shumë hapësirë nga sa të linte të kuptoje pamja e parë. Sa shumë ushtarë kishte strehuar ajo shtëpi!
Në oborr na pritën nëna Stanë dhe e bija, Filja. Pritja ishte e ngrohtë, e çiltër, me atë bujari të malësorëve që të bën të ndihesh i mirëseardhur që në përshëndetjen e parë.
Në murin e shtëpisë më ranë në sy dy pllaka. Njëra e shënonte si shtëpi-bazë të UÇK-së, të Zonës Operative të Karadakut; tjetra dëshmonte se aty kishin qëndruar ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Dhe kishin qenë qindra.
Pas atyre mbishkrimeve qëndronte puna e përditshme e një familjeje: pritja e përcjellja e ushtarëve, përgatitja e ushqimit, larja e rrobave dhe ndarja me ta e gjithçkaje që kishte shtëpia.
Na prinë për në odë dhe, sipas zakonit të mikpritjes, na i caktuan edhe vendet ku të uleshim.
Në dhomë binte në sy emblema e UÇK-së.
Na shërbyen kafe e raki, ndërsa biseda nisi të rridhte natyrshëm.
Kujtimet sillnin copëza nga lufta, nga qëndrimi i ushtarëve në atë shtëpi, nga njerëzit që kishin hyrë e kishin dalë prej saj.
Pastaj biseda kalonte te vizitat e pasluftës.
Për kushtet e sotme të jetesës flitej pak.
Askush nuk e vinte hallin e vet në krye të bisedës.
Por rruga që sapo kishim përshkuar fliste edhe pa fjalë.
Vizitat e shumta kishin sjellë mirënjohje e falënderime.
Përmirësimi i kushteve të jetesës, megjithatë, nuk kishte ecur me të njëjtin hap.
Nga biseda mësova më shumë për angazhimin e familjes gjatë luftës.
Tre djemtë, Filipi, Fatmiri dhe Viktori, kishin luftuar me armë në dorë në radhët e UÇK-së.
Edhe pjesëtarët e tjerë kishin kryer detyra të ndryshme në terren dhe në shërbim të luftës, me mbështetjen e babait të tyre, Ndue Gashit.
Ndou kishte vdekur pa iu njohur statusi i veteranit.
Pa këtë status kishte mbetur edhe nëna Stanë.
Vajzat, Filja, Vera dhe Lurdja, si dhe bashkëshortja e Filipit me dy femijet, kishin qëndruar gjatë gjithë luftës përkrah saj.
Kishin pritur e përcjellë ushtarë, kishin gatuar për ta e kishin larë rrobat e tyre.
Asnjërës nuk i ishte njohur statusi i veteranes.
Vetëm Files i ishte njohur statusi i pjesëmarrëses.
Pjesën më të madhe të kohës fliste Ismeti.
E dëgjoja dhe mendoja për gjithë atë punë që ishte dashur të bëhej, ditë pas dite, që qindra ushtarë të gjenin në këtë shtëpi ushqim, rroba të pastra e një vend ku të çlodheshin.
Sa duar ishin vënë në punë? Sa net kishin kaluar kështu?
Mikpritësit i rrëfenin të gjitha thjesht, si detyra që koha ua kishte sjellë në prag dhe që i kishin marrë përsipër.
Koha po kalonte dhe mua më priste ende rrugë e gjatë deri në Pejë.
U ngritëm.
Të gjithë dolën të na përcillnin.
Në oborr takuam edhe nipin e nënës Stanë.
Kishte përfunduar shkollën e mesme në drejtimin e teknologjisë së informacionit, por ishte i papunë. Edhe ai priste një mundësi për ta ndërtuar jetën e vet.
Nëna Stanë na falënderoi nga zemra për vizitën, na ftoi të shkonim përsëri dhe na uroi rrugë të mbarë.
Në përshëndetjen e saj kishte po atë ngrohtësi me të cilën na kishte pritur.
U futëm në makinë dhe nisëm të zbrisnim teposhtë nëpër një rrugë me shumë kthesa.
Këtë herë morëm një rrugë tjetër nga ajo që na kishte sjellë në Peshter të Brusit.
Teksa zbrisnim shpatit, më mbeteshin në mendje dy pllakat në mur dhe njerëzit që sapo kishim lënë pas.
Një shtëpi-bazë e UÇK-së. Një strehë për qindra ushtarë.
Një familje e tërë e angazhuar në luftë, por vetëm tre pjesëtarë me statusin e veteranit dhe një me statusin e pjesëmarrëses.
Po të tjerët?
Me sa di, nënës Stanë i ishte ndarë dekorata «Nëna Terezë» nga presidentja Vjosa Osmani. Një nderim i çmuar për përkushtimin e saj.
Por, ndërsa makina tundej nëpër rrugën e ngushtë, mendoja se sa shumë kishte mbetur për t’u bërë që mirënjohja të ndihej edhe në jetën e përditshme të kësaj familjeje, e cila gjatë ndenjës sonë për asgjë nuk u ankua.
Herë pas here ngrija sytë nga qielli.
Pas një tisi të hollë mjegulle dukej një dritë e zbehtë hëne. Rruga mes dy lagjeve të Brusit ishte zhytur në terr dhe ajo dritë mezi ia dallonte anët.
Mendja më kthehej te oborri, te nëna Stanë dhe te ftesa e saj për të shkuar përsëri.
Ajo shtëpi ua kishte hapur derën qindra ushtarëve në ditët më të vështira. Sot, rruga deri te dera e saj meriton më shumë se dritën e zbehtë të hënës.

Pejë, tetor 2026

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Muhamet Dauti shpall të pavlefshme dëftesën e lëshuar nga SHMLT…