Vazhdojnë konsultimet me mësimdhënësit për Strategjinë e Arsimit 2035+, mbahet takimi rajonal në Mitrovicë
Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, dhe kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK), Rrahman Jasharaj, kanë vazhduar në Mitrovicë ciklin e konsultimeve me mësimdhënësit për hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.
Para bashkëbisedimit me mësimdhënësit e rajonit të Mitrovicës, ministri Çeku, zëvendësministri, Muhedin Nushi dhe kryetari Jasharaj janë pritur nga rektorja e Universitetit “Isa Boletini”, Nurten Deva. Më pas, kanë vizituar laboratorët e Fakultetit të Inxhinierisë Mekanike dhe Kompjuterike, ku janë njohur me hapësirat dhe pajisjet që shërbejnë për mësimin praktik dhe veprimtarinë shkencore.
Takimi me mësimdhënësit është zhvilluar në kuadër të konsultimeve të përbashkëta të MASh-it dhe SBAShK-ut, me qëllim përfshirjen e drejtpërdrejtë të komunitetit arsimor në përcaktimin e prioriteteve dhe orientimeve të strategjisë së re.
Diskutimi është përqendruar në katër shtyllat kryesore të strategjisë: edukimin në fëmijërinë e hershme, arsimin parauniversitar, arsimin dhe aftësimin profesional, si dhe arsimin e lartë dhe shkencën. Në këtë kuadër, është theksuar nevoja për përmirësimin e cilësisë së arsimit, zhvillimin institucional dhe përshtatjen e programeve arsimore me nevojat e shoqërisë dhe të tregut të punës.
Gjatë bashkëbisedimit është vlerësuar rëndësia e kontributit të mësimdhënësve dhe sindikatës në hartimin e politikave arsimore, duke e vendosur interesin e nxënësve dhe zhvillimin afatgjatë të arsimit në qendër të reformave.
Kryetari i SBAShK-ut, Rrahman Jasharaj, ka vlerësuar frymën e bashkëpunimit me Ministrinë dhe ka shprehur gatishmërinë e sindikatës për të kontribuar me kapacitetet e saj në këtë proces. Ai ka theksuar edhe rëndësinë e punës së përbashkët për kontratën kolektive dhe përmirësimin e kushteve të punës për punonjësit e arsimit, nga çerdhet deri në universitete.
Konsultimet rajonale do të vazhdojnë në të gjitha rajonet e Kosovës, duke krijuar hapësirë për propozimet dhe rekomandimet e mësimdhënësve në hartimin e Strategjisë së Arsimit 2035+.



