Rritet numri i vizitorëve në hotele
Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) ka publikuar statistikat e hotelerisë për muajin gusht 2026, sipas të cilave numri i vizitorëve në hotele është rritur për 10 për qind krahasuar me gushtin e vitit 2025.
Sipas ASK-së, në gusht të këtij viti, numri i vizitorëve në hotele ishte 101 mijë e 792. Prej tyre, 37 mijë e 986 ishin vizitorë vendorë, ndërsa 63 mijë e 806 ishin vizitorë të huaj.
Krahasuar me gushtin e vitit 2025, kur ishin regjistruar 92 mijë e 544 vizitorë, numri i përgjithshëm i vizitorëve në hotele është rritur për 10 për qind.
Numri i net-qëndrimeve ishte 212 mijë e 411. Prej tyre, 135 mijë e 740, apo 62.6 për qind, ishin nga vizitorët e huaj, ndërsa 76 mijë e 671, apo 36.1 për qind, nga vizitorët vendorë, është bërë e ditur në njoftimin e ASK-së.
Sa u përket vizitorëve të huaj, në gusht të vitit 2026, krahasuar me të njëjtin muaj të vitit 2025, është shënuar rritje prej 7.3 për qind.
Në total, në hotelet e Kosovës kanë qëndruar 63 mijë e 806 vizitorë të huaj. Numri më i madh i tyre ka qenë nga Shqipëria, Gjermania, Zvicra dhe Turqia.





