Merz i tronditur nga pjesëmarrja e Schroderit në festën e Putinit
Vizita e ish-kancelarit gjerman Gerhard Schröder (82) te presidenti rus Vladimir Putin, me rastin e ditëlindjes së 74-t të këtij të fundit, ka shkaktuar reagime të ashpra nga qeveria aktuale gjermane.
Kancelari gjerman Friedrich Merz është “thellësisht i tronditur”, ka deklaruar zëdhënësi i tij, raporton “KosovaPress”.
“Putin mban përgjegjësinë e vetme për luftën në Ukrainë. Urdhrat e tij po shkaktojnë vuajtje të mëdha, viktima civile, ndarje familjesh, si dhe të vdekur e të plagosur”, ka thënë zëdhënësi, duke shtuar se Merz “e konsideron krejtësisht imorale pjesëmarrjen e zotit Schröder në një festë të tillë”.
Schröder, i cili ka drejtuar qeverinë gjermane nga viti 1998 deri në vitin 2005, është përballur prej kohësh me kritika në Gjermani dhe jashtë saj për shkak të lidhjeve të tij me sektorin rus të biznesit dhe me Putinin. Ai nuk i ka ndërprerë këto marrëdhënie as pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022 dhe vendosjes së sanksioneve të njëpasnjëshme perëndimore.
Gjatë 20 vjetëve të fundit, Schröder ka mbajtur disa poste të larta në kompani ruse. Menjëherë pas largimit nga posti i kancelarit, ai është bërë kryetar i komitetit të aksionarëve të “Nord Stream”, projektit të gazsjellësit në Detin Baltik të drejtuar nga “Gazprom”, të cilin Schröder e kishte mbështetur fuqimisht gjatë kohës kur ishte në detyrë.
Më vonë, ai ka mbajtur gjithashtu pozita drejtuese në kompaninë ruse të naftës “Rosneft”. Javën e kaluar, Schröder i është bashkuar bordit mbikëqyrës të zinxhirit rus të shitjes me pakicë “Hyperglobus”. Kompania është degë e grupit gjerman “Globus Holding” dhe menaxhon më shumë se 20 supermarkete në Rusi.
Në fillim të këtij viti, Putin ka deklaruar se do të preferonte të negocionte me Schröderin marrëveshjet e reja të sigurisë në Evropë. Bashkimi Evropian dhe qeveria e Merzit e kanë hedhur menjëherë poshtë këtë ide.



