Kroacia blen 18 sisteme raketore
Muajin e kaluar, Kroacia ka nënshkruar kontrata me kompaninë koreano-jugore “Hanwha Aerospace” për blerjen e 18 sistemeve raketore vetëlëvizëse “Chunmoo K239”.
Kryetari i Parlamentit të Kroacisë, Gordan Jandrokoviq, ka thënë sot, në një konferencë për media në Zagreb, se blerja e 18 sistemeve raketore vetëlëvizëse “Chunmoo K239” është rezultat konkret i bashkëpunimit dhe marrëdhënieve miqësore mes Kroacisë dhe Koresë së Jugut.
“Kroacia po blen gjithashtu sisteme moderne raketore-artilerie Chunmoo nga Koreja, ndaj kemi rezultate shumë konkrete të marrëdhënieve tona miqësore dhe bashkëpunimit”, ka thënë Jandrokoviq në konferencën e përbashkët për media me kryetarin e Asamblesë Kombëtare të Koresë së Jugut, Choom Jeong-sik.
Blerja e këtyre sistemeve raketore me lëshim të shumëfishtë nga Koreja e Jugut vlerësohet në 435.2 milionë euro, pa TVSh, ndërsa “Hanwha Aerospace” pritet t’i dorëzojë ato deri në vitin 2029.
Bëhet fjalë për të njëjtin lloj sistemesh që janë blerë tashmë nga Norvegjia, Estonia dhe Polonia. Kjo e fundit prodhon gjithashtu raketa për këtë sistem.



