Prokurori: Provat e grumbulluara do të vërtetojnë se Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi i shërbyen BIA-s
Prokurori special Bekim Kodraliu, në fjalën e tij hyrëse në këtë proces gjyqësor, ka thënë se provat e grumbulluara, të cilat do të administrohen gjatë gjykimit, do të vërtetojnë se dy të pandehurit e kanë ndihmuar dhe i kanë shërbyer BIA-s, si dhe kanë cenuar rendin kushtetues dhe jetën e qytetarëve të Kosovës.
“Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë kundër të pandehurve Bedri Shabani dhe Muharrem Qerimi, të cilët veç e veç kanë kryer veprën penale ‘Spiunazhi’, ndërsa i akuzuari Muharrem Qerimi akuzohet edhe për mbajtje të paautorizuar të armëve, për të cilën vepër, në shqyrtimin fillestar, e ka pranuar fajësinë”, ka thënë ai.
Më tej, Kodraliu ka theksuar se BIA po zhvillon veprimtari spiunazhi në Kosovë dhe se, për këtë, ekzistojnë prova konkrete. Siç ka bërë të ditur prokurori, Bedri Shabani e kishte ndërlidhur spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën “Shtëpia e Verdhë”.
“Do të vërtetohet në tërësi nga provat që do të administrohen para jush. Janë më shumë se 30 raporte policore me prova konkrete, raporti nga Agjencia Forenzike e Kosovës, konfirmimet zyrtare nga AKI-ja dhe burimet e qasshme. Po ashtu, janë raportet për hyrje-daljet në Serbi dhe kthimin në të njëjtën ditë në Kosovë, dokumentacioni dhe albumet fotografike që përmbajnë fotografi nga lufta në Kosovë, diagrame, fotografi të përgatitura, e në veçanti provat materiale të gjetura në posedim të të pandehurit Bedri Shabani. Do të vërtetohet se i njëjti synonte ta ndërlidhte spitalin e Mollopolcit me të ashtuquajturën ‘Shtëpia e Verdhë’ në Shqipëri.
Gjatë administrimit të provave, do të vërtetohet se i pandehuri Bedri Shabani, nga një datë e pacaktuar e deri në arrestimin e tij më 5 qershor 2024, e ka ndihmuar BIA-n përmes Sërgjan Rosiqit, duke mbledhur dhe dërguar informacione, dokumente dhe libra që kanë të bëjnë me ngjarjet e UÇK-së. Këto veprime i ka ndërmarrë përmes komunikimeve telefonike dhe takimeve fizike me Sërgjan Rosiqin”, ka thënë Kodraliu.



