50 të arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër trafikut të drogës

09 tetor 2026 | 15:05

50 persona janë arrestuar në një operacion ndërkombëtar kundër një rrjeti të trafikut të drogës, të shtrirë në pjesë të ndryshme të Ballkanit Perëndimor.

Europol njoftoi se të dyshuarit lidhen gjithashtu me vrasje, rrëmbime, sulme me armë zjarri dhe granata dore në disa vende evropiane.

Operacioni kulmoi më 6 tetor me kontrolle në 42 lokacione në Slloveni dhe Spanjë, me pjesëmarrjen e autoriteteve nga 22 shtete. Numri më i madh i arrestimeve u krye në Slloveni, ku u ndaluan 34 persona.

Në hetim përfshihen shtetas të disa vendeve, mes tyre Bosnje e Hercegovina, Serbia, Sllovenia, Bullgaria, Turqia dhe Holanda.

Gjatë aksionit u sekuestruan 66 kilogramë drogë, përfshirë kanabis dhe amfetaminë, si dhe armë, para të gatshme dhe stoli.

Sipas hetuesve, rrjeti fshihte narkotikët në ngarkesa të ligjshme mallrash dhe i transportonte me kamionë e furgonë drejt vendeve të ndryshme të Evropës. Për koordinimin e aktiviteteve kriminale përdorte platforma të enkriptuara komunikimi, përfshirë SKY ECC dhe CryptCom.

Europol-i bëri të ditur se mosmarrëveshjet dhe dështimi i dërgesave të drogës shpesh shoqëroheshin me dhunë, përfshirë vrasje, tentativa vrasjeje dhe rrëmbime. Sulmet kishin për objektiv edhe familjarët e anëtarëve të rrjetit.

Gjatë hetimeve, nga shkurti i vitit 2022 deri në shtator të vitit 2026, autoritetet sekuestruan sasi të konsiderueshme kokaine, kanabisi, metamfetamine dhe substancash të tjera narkotike, si dhe armë dhe kimikate që përdoren në prodhimin e drogës.

Përmes analizimit të komunikimeve dhe provave të mbledhura, hetuesit kanë identifikuar edhe transporte të tjera të dyshuara, përfshirë tonelata kanabisi dhe qindra kilogramë kokainë e heroinë.

Sipas Europol-it, operacioni u koordinua në kohë reale nga një qendër operative në Lubjanë, me mbështetjen analitike dhe operacionale të agjencisë evropiane.

 

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Ish-zëvendëskryeministrja e Kosovës, Edita Tahiri, ka kërkuar që presidentja Justina…