Beteja pas Kuvendit: Rruga Juridike, Diplomatike dhe Mediatike e Kosovës
Shkruan: Hanife Salihu
Pas miratimit të ligjit në Kuvendin e Kosovës, duket sikur u qetësuam, sikur e kryem obligimin tonë dhe sikur, me këtë veprim, u krijua bindja se ata që gjenden prapa grilave u liruan dhe u shpallën të pafajshëm, ashtu siç do të duhej të ishte në një proces të drejtë dhe të paanshëm. Por, realisht, a është ky përfundimi i asaj që duhej të bënim? A menduam se me kaq përfundon përgjegjësia jonë?
Çfarë hapash u ndërmorën këto ditë dhe çfarë hapash do të duhej të ndërmerreshin tani? Ditët po kalojnë, koha nuk po na pret, ndërsa ne duhet t’i bëjmë vetes një pyetje të rëndësishme: Çfarë po bëjmë dhe çfarë do të bëjmë më tutje për ta mbrojtur të vërtetën, drejtësinë dhe dinjitetin e Kosovës?
Prej 16 shtatorit deri më sot, kemi arritur vetëm te miratimi i ligjit në Kuvendin e Kosovës për plotësimin dhe ndryshimin e tij, por, përtej kësaj, çfarë tjetër kemi bërë? Madje, edhe për këtë ligj po thuhet se nuk është hartuar siç duhet. Nëse edhe një hap i tillë nuk është menduar dhe përgatitur në mënyrën e duhur, atëherë duhet të reflektojmë seriozisht për qasjen tonë dhe për mungesën e një strategjie të qartë, të koordinuar dhe afatgjatë.
Ndërkohë, për Serbinë po raportohet se, pas 16 shtatorit, ka ndarë 600 milionë euro, ndërsa diplomacia e saj vazhdon aktivitetet në nivele të ndryshme ndërkombëtare. Pavarësisht se cilat janë shifrat dhe qëllimet konkrete të këtyre veprimeve, një gjë është e qartë: Serbia vazhdon të investojë në përpjekjet e saj diplomatike dhe në paraqitjen e narrativave të veta para opinionit ndërkombëtar. E ne, çfarë po bëjmë përballë kësaj?
Ne nuk kemi arritur t’i paraqesim në mënyrë të organizuar dhe të vazhdueshme të gjitha krimet e kryera në Kosovë, nga vrasjet e foshnjave deri te ato të të moshuarve, gra e burra, si dhe dhunën, shkatërrimet dhe vuajtjet e mijëra familjeve. E, për pasojat ekonomike, materiale dhe shoqërore të luftës, as të mos flasim. Këto nuk janë vetëm kujtime të dhimbshme të së kaluarës, por fakte historike që duhet të dokumentohen, të prezantohen dhe të mbrohen vazhdimisht para botës.
Qofsha e gabuar, por personalisht nuk kam dëgjuar për ndonjë organizim të mirëfilltë dhe sistematik nga ambasadat tona nëpër botë, ku të mbahen simpoziume, ligjërata, konferenca, ekspozita fotografike dhe shfaqje dokumentarësh për krimet e kryera në Kosovë. Materialet dokumentuese ekzistojnë, dëshmitë janë mbledhur, fotografitë dhe pamjet filmike janë në dispozicion. Pra, nuk po flasim për mungesë të fakteve, por për nevojën që ato të sistemohen, të prezantohen dhe të shndërrohen në një veprimtari të vazhdueshme diplomatike e institucionale.
A nuk do të duhej që këto dëshmi të bëheshin pjesë e një programi të përhershëm të diplomacisë sonë? A nuk do të duhej që ambasadat e Kosovës, së paku dy herë në vit, të organizonin aktivitete të posaçme për dokumentimin dhe prezantimin e krimeve të Serbisë në Kosovë, në bashkëpunim me historianë, studiues, organizata të të drejtave të njeriut, përfaqësues të institucioneve ndërkombëtare dhe dëshmitarë të ngjarjeve?
Krimet e kryera në Kosovë nuk duhet të mbeten vetëm në kujtesën tonë; ato duhet të jenë të pranishme edhe në ndërgjegjen ndërkombëtare.
E ne, në vend që të veprojmë me vendosmëri, shpesh heshtim. Heshtëm dje, heshtim sot, ndërsa nesër mund të jetë vonë për shumëçka që duhej të ishte bërë me kohë. Heshtja nuk e ndryshon të kaluarën, por mund të ndikojë që e vërteta të zbehet në sytë e atyre që nuk e kanë përjetuar luftën dhe që informacionet për Kosovën i marrin kryesisht nga burime të tjera.
Kosova duhet të veprojë urgjentisht në tri fusha kryesore: juridike, diplomatike dhe mediatike. Veprimi duhet të jetë i menjëhershëm, veçanërisht në këtë fazë të procesit gjyqësor dhe të përgatitjeve për apel në Gjykatën Speciale në Hagë. Nuk duhet të presim deri në afatet e fundit për të reaguar, por të punojmë që tani, me koordinim institucional, argumente juridike dhe dokumentim të fakteve. Koha kërkon veprime konkrete, të përgjegjshme dhe të bashkërenduara.
1. Në fushën juridike
Duhet të punohet me përkushtim për dokumentimin dhe sistemimin e të gjitha krimeve të luftës, të krimeve kundër njerëzimit dhe të shkeljeve të rënda të së drejtës ndërkombëtare humanitare të kryera në Kosovë. Duhet të forcohet bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të drejtësisë, ekspertëve ligjorë, studiuesve, organizatave që kanë mbledhur dëshmi dhe institucioneve ndërkombëtare.
Po ashtu, duhet të sigurohet që proceset gjyqësore të mbështeten në fakte, në standardet e drejtësisë dhe në respektimin e të drejtave themelore. Qëllimi nuk është të kërkohet një drejtësi e njëanshme, por që drejtësia të jetë e plotë, e paanshme dhe e mbështetur në prova. Krimet nuk duhet të harrohen dhe as të mbeten pa u hetuar vetëm pse kalon koha.
2. Në fushën diplomatike
Diplomacia e Kosovës duhet të kalojë nga deklaratat e rastit në një veprimtari të organizuar dhe të vazhdueshme. Ministria e Punëve të Jashtme, në bashkëpunim me ambasadat dhe konsullatat tona, duhet të hartojë një plan konkret për prezantimin e krimeve të luftës në Kosovë para institucioneve ndërkombëtare, parlamenteve, universiteteve, organizatave të të drejtave të njeriut dhe mediave të huaja.
Diplomacia nuk duhet të jetë vetëm reagim ndaj veprimeve të të tjerëve. Ajo duhet të jetë iniciativë, parandalim dhe prezantim i vazhdueshëm i interesave tona shtetërore. Nëse të tjerët punojnë për ta paraqitur versionin e tyre të “historisë”, ne duhet të jemi të përgatitur për ta paraqitur të vërtetën tonë përmes fakteve të verifikuara, argumenteve dhe dëshmive të pakontestueshme.
3. Në fushën mediatike
Duhet të realizohen dokumentarë, emisione hulumtuese, intervista me dëshmitarë, publikime të dokumenteve arkivore dhe rrëfime të familjeve të viktimave. Këto materiale duhet të shpërndahen përmes televizioneve ndërkombëtare, platformave digjitale, rrjeteve sociale dhe kanaleve të tjera që ndikojnë në formimin e opinionit publik.
Në këtë drejtim, duhet të shfrytëzohen edhe mundësitë që ofron teknologjia digjitale, duke krijuar arkiva publike, platforma shumëgjuhëshe dhe koleksione dokumentare që mund të përdoren nga studiuesit, gazetarët, studentët dhe institucionet ndërkombëtare.
Por, mbi të gjitha, këto tri fusha nuk duhet të funksionojnë të ndara nga njëra-tjetra. Ato duhet të jenë pjesë e një strategjie të përbashkët shtetërore, me përgjegjësi të përcaktuara, bashkëpunim ndërinstitucional dhe vlerësim të rregullt të rezultateve.
Prandaj, tani duhet të punohet edhe më fort në përmbushjen e detyrave shtetërore e qytetare.



