Kosova e pavarur si projekt antinacionalist
08 tetor 2026
| 22:01
Nga Milazim Krasniqi
Kërkesa e gjatë për statusin e Kosovës si një republikë në kuadër të federatës së Jugosllavisë dhe më vonë projekti i pavarësimit të Kosovës, nuk mund të cilësohen si projekt nacionalist shqiptar. Ky është një projekt gjysmak, i bazuar në kalkulime të ngjarjeve që ndodhën në ish federatën jugosllave. Në fakt, Kosova e pavarur e nxjerr jashtë kalkulimeve nacionaliste çështjen shqiptare, sepse duke e formuar shtetin e Kosovës më vete, mbyllet rruga e bashkimit me Shqipërinë. Në kriteret që i kanë paraprirë përcaktimit të statusit të Kosovës, komuniteti ndërkombëtar ka futur edhe klauzolën sipas së cilës Kosovës i ndalohet mundësia e bashkimit me ndonjë shtet tjetër.
Përfaqësuesit e Kosovës në Konferencën e Vjenës (2007) e kanë pranuar këtë klauzolë dhe ajo është në fuqi. Prandaj, pavarësia e Kosovës nuk është pjesë e projektit nacionalist shqiptar. Në fakt, çlirimi i Kosovës ka ardhur si rezultat i intervenimit të NATO-s për shkak të “katastrofës humanitare”, të provokuar nga regjimi i Millosheviqit dhe, më vonë, si rezultat i një akordi ndërkombëtar për pavarësimin e saj. Kosova e pavarësuar në bazë të Planit Gjithëpërfshirës të Marti Ahtisarit, në bazë të të cilit u hartua edhe kushtetuta e shtetit të ri, është shtet multietnik, me një bashkësi të komunave serbe, që ka disa elementë të një autonomie territoriale, me një spektër ligjesh që mbrojnë kishat dhe manastiret e Kishës Ortodokse Serbe përtej çdo standardi të njohur në Europën e sotme. Kjo do të thotë se Kosova e pavarur nuk është shtet nacional i shqiptarëve dhe as ka gjasa që në mënyrë të lirë të bashkohet me Shqipërinë. Pra, nacionalizmi shqiptar nuk është as themelues e as ndërtues i këtij shteti të ri.
Që nacionalizmi shqiptar nuk është në themelet e këtij shteti e as participues serioz në ndërtimin e tij, shihet shumë lehtë edhe nga mënyra se si po ndërtohet ky shtet. Mungesa e vullnetit për të ngritur një burokraci të aftë, mungesa e efikasitetit të pushtetit gjyqësor, korrupsioni i kudondodhur që po ia zë frymën ekonomisë dhe shoqërisë, mungesa e reformave në arsim e shëndetësi, janë vetëm disa nga treguesit se nuk ka një shtytje nacionaliste në ndërtimin dhe në zhvillimin e këtij shteti. Shteti i Kosovës është i denacionalistizuar nga politikat e UNMIK-ut, KFOR-it, EULEX-it dhe gjithë agjencive e faktorëve ndërkombëtarë që punojnë në këtë vend që nga viti 1999.
Natyrisht, një ndikim në këtë proces denacionalistizimi kanë pasur edhe politikat e mefshta dhe konfuze antinacionaiste të Shqipërisë. Mungesa e një platforme të qartë nacionaliste në Shqipëri në gjithë këtë periudhë, e ka lënë edhe Kosovën dhe viset e tjera të banuara me shqiptarë pa busull në këtë drejtim.



