Lutfi Haziri nuk e përjashton garën për kryetar të LDK-së: Për herë të parë, presidenti s’kaloi nga zyrat tona

09 tetor 2026 | 21:49

Lutfi Haziri ka lënë të hapur mundësinë e kandidimit për kryetar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke thënë se një vendim të tillë do ta shqyrtojë vetëm nëse ka kërkesë nga votuesit e partisë dhe rugovistët.

Në një intervistë për Blic Interview, Haziri ka bërë të ditur se zgjedhjet e brendshme në LDK pritet të mbahen shumë shpejt, ndërsa ka paralajmëruar se gara për kryetar mund të jetë e hapur për disa kandidatë potencialë.

I pyetur nëse do të jetë pjesë e garës për drejtimin e partisë, Haziri ka theksuar se nuk do të ndërmarrë një hap të tillë pa pasur kërkesën e elektoratit të LDK-së.

“Nëse është në kërkesën e votuesve të LDK-së, unë ndjehem i nderuar t’i hyjë garës për kryetar të LDK-së, përndryshe nuk afrohem më, vetëm nëse është kërkesë e votuesve dhe rugovistave, do ta mendojë seriozisht këtë punë”, tha Haziri.

Ai ka vlerësuar se në procesin e ardhshëm zgjedhor brenda partisë mund të ketë disa kandidatë, duke e lidhur këtë me rrethanat politike dhe zhvillimet e fundit në LDK.
“Besoj që do ketë shumë kandidat potencial, për shkak edhe të rrethanave, dhe për herë të parë nuk ka kaluar presidenti nga zyret e LDK-së, jo për faj të dikujt tjetër, por të vetvetes”, tha Haziri për Blic Interview.

Me këtë deklaratë, Haziri ka lënë të hapur mundësinë që emri i tij të jetë në mesin e kandidatëve për kryetar të LDK-së, por pa konfirmuar zyrtarisht se do të hyjë në garë.

Zgjedhjet e brendshme pritet të jenë një moment i rëndësishëm për partinë, ndërsa mbetet të shihet se cilët do të jenë kandidatët që do të synojnë udhëheqjen e saj.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Këshilli i Marrëdhënieve Shqiptaro-Amerikane (AARC) është takuar me kongresistin amerikan…