“Drejtësi për çlirimtarët! Jo në emrin tim!”, protestohet edhe në Bruksel

11 tetor 2026 | 16:34

Në Bruksel të Belgjikës u mbajt të shtunën një protestë madhështore me moton “Drejtësi për çlirimtarët! Jo në emrin tim!”, e organizuar nga platforma “Liria ka Emër” në diasporë, e drejtuar nga Hektor Beqiri, në bashkëpunim me shoqatën shqiptare “Vatra” (Albabel), me kryetar Amet Gjanaj.

Protesta u zhvillua më 10 tetor, pranë institucioneve të Bashkimit Evropian, me qëllim kundërshtimin e aktgjykimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.

“Këto ishin disa nga thirrjet që jehuan fuqishëm sot në Bruksel”, ku protestues të shumtë u mblodhën përpara institucioneve evropiane, duke ngritur zërin në mbrojtje të drejtësisë, dinjitetit dhe historisë së luftës çlirimtare të Kosovës.

Nga zemra e Evropës, mesazhi i protestuesve ishte i qartë: drejtësia nuk duhet të jetë selektive, e vërteta nuk duhet të shtrembërohet dhe sakrifica e një populli për liri nuk duhet të harrohet.

Thirrja “JO NË EMRIN TIM!” shprehu kundërshtimin e protestuesve dhe kërkesën e tyre për drejtësi, ndërsa brohoritjet “UÇK, UÇK!” rikujtuan rëndësinë që lufta çlirimtare ka në kujtesën kolektive dhe identitetin e shqiptarëve të Kosovës.

“Liria e Kosovës është pjesë e historisë sonë. Sakrifica e popullit tonë është pjesë e kujtesës sonë. Drejtësia është kërkesa jonë!”, thuhet në mesazhin e përcjellë nga organizatorët e protestës.

Duke theksuar vendosmërinë për të vazhduar angazhimin, Hektor Beqiri deklaroi se përpjekjet do të vijojnë deri në arritjen e qëllimit të tyre, të cilin e shprehu me thirrjen: “Kthimin e çlirimtarëve në Atdhe!”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Një vetaksident ka ndodhur sot në rrethana ende të panjohura…