Betim Gjoshi i reagon Marta Kosit për Ligjin e Speciales: Lexojeni ligjin para se ta kritikoni
Zyrtari i lartë i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Betim Gjoshi, i ka reaguar komisioneres së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kossit përmes një postimi në “Facebook”, lidhur me kritikat ndaj Ligjit për Gjykatën Speciale të miratuar në Kuvendin e Kosovës.
Gjoshi i ka kërkuar Kossit që fillimisht ta lexojë ligjin, duke pretenduar se ai nuk e cenon pavarësinë e gjyqësorit.
“Së pari, lexojeni ligjin e miratuar në Kuvendin e Republikës së Kosovës, në mënyrë që të kuptoni përmbajtjen e tij. Së dyti, në asnjë pikë të vetme Ligji nuk e cenon pavarësinë e gjyqësorit. Nëse do ta lexonit, do ta kuptonit këtë”, ka shkruar Gjoshi.
Ai ka kritikuar edhe Gjykatën Speciale, duke pretenduar se gjyqtarët kanë abuzuar me ligjin e mëparshëm dhe se kjo gjykatë nuk ka zbatuar standardet evropiane të drejtësisë.
Sipas Gjoshit, kritikat do të duhej të adresoheshin ndaj Dhomave të Specializuara, të cilat, siç ka pretenduar ai, prej gjashtë vjetësh i mbajnë në paraburgim ish-drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) pa fakte dhe dëshmi që i ndërlidhin ata me akuzat.
Gjoshi ka theksuar se ligji është miratuar nga më shumë se tri të katërtat e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë si dëshmi të mbështetjes së gjerë politike dhe qytetare.
“Ligji është miratuar nga më shumë se 3/4 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës – dëshmi e mbështetjes së gjerë politike e qytetare dhe ju duhet ta respektoni atë”, ka shkruar Gjoshi.



