Ishte planifikuar të dëgjohej Dejona Mihali, mbrojtja e Nagip Krasniqit kërkon përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues
Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, të hënën, gjatë gjykimit ndaj Nagip Krasniqit dhe Isuf Zejnës për keqpërdorim të pozitës zyrtare, mbrojtja e Krasniqit ka kërkuar përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues, Rrahman Beqiri.
Kërkesa është bërë me arsyetimin se, sipas mbrojtjes, në aktgjykimin ndaj Ymer Dragushës, Beqiri ka qenë i njëanshëm, duke shkelur parimin e paanshmërisë, raporton “Betimi për Drejtësi”.
“Sipas këndvështrimit tonë, në aktgjykimin në fjalë janë bërë konstatime faktike dhe juridike të cilat vënë në dyshim paanshmërinë objektive të kryetarit të trupit gjykues dhe si të tilla krijojnë rrethana të papërshtatshme që, për bindjen tonë, kushtëzojnë përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues”, ka thënë avokati i Krasniqit, Florian Petani.
Petani ka shtuar se, pasi e kanë pranuar aktgjykimin ndaj të pandehurit Ymer Dragusha, të hënën në mëngjes e ka dorëzuar në zyrën e shkrimores së Gjykatës Themelore kërkesën për përjashtimin e kryetarit të trupit gjykues.
Sipas tij, kërkesa nuk ka mundur të dorëzohet më herët, pasi mbrojtja nuk ka qenë e pajisur me aktgjykimin ndaj Dragushës.
Avokati Petani ka thënë se në muajin gusht i kishte kërkuar gjykatës një kopje të aktgjykimit, por ishte njoftuar se çështja në atë kohë ndodhej në Gjykatën e Apelit.
“Me aktgjykimin e Ymer Dragushës, edhe pse kemi bërë kërkesë, nuk jemi pajisur me të deri në publikimin e tij në faqen zyrtare të gjykatës. Arsyeja pse nuk kemi parashtruar kërkesë më herët është se nuk e kemi pasur këtë aktgjykim. Në bindjen tonë, thëniet në këtë aktgjykim ndikojnë në epilogun e çështjes ndaj Nagip Krasniqit”, ka deklaruar Petani.
Ndërkaq, prokurori special, Ilir Morina, ka deklaruar se nuk e ka pranuar një kopje të kërkesës dhe se, pa e ditur bazën ligjore të saj, nuk mund të deklarohet saktësisht.
Megjithatë, Morina ka thënë se, pas veçimit të lëndës, ajo është bërë çështje më vete dhe se gjykata nuk ka pasur nevojë t’ia dërgonte aktgjykimin mbrojtjes së Krasniqit, pasi kjo e fundit nuk është më palë në procedurë.
Po ashtu, Morina ka vlerësuar se aktgjykimi në fjalë lidhet më shumë me marrëveshjen e Dragushës me Prokurorinë sesa me qëndrimin e gjykatës, duke i konsideruar të pabazuara pretendimet e mbrojtjes.
“Ai aktgjykim më shumë reflekton në marrëveshjen e Prokurorisë me dëshmitarin bashkëpunues sesa qëndrimin e gjykatës. Nuk mund të deklarohem më shumë, pasi nuk e kemi kopjen dhe nuk e dimë bazën ligjore”, ka thënë prokurori Morina.
Pas këtyre zhvillimeve, kryetari i trupit gjykues, Rrahman Beqiri, ka ndërprerë seancën me aktvendim dhe ka konstatuar se shkresat e lëndës do t’i dërgohen kryetarit të trupit gjykues për të vendosur lidhur me kërkesën për përjashtim.
Në këtë seancë ishte planifikuar të dëgjohej Dejona Mihali në cilësinë e dëshmitares, por, për shkak të rrethanave të krijuara, dëshmia e saj nuk është dëgjuar të hënën.



