Zhegrova barazoi rekordin e Murielit dhe Lautaros, ylli kosovar shkëlqeu ndaj Cagliarit
Edon Zhegrova vazhdon të tregojë vlerat e tij te Juventusi.
Edhe pse nuk arriti të shënonte, futbollisti kosovar ishte ndër lojtarët më të rrezikshëm të bardhezinjve në barazimin 1-1 ndaj Cagliarit.
Zhegrova është aktivizuar në fillim të pjesës së dytë nga trajneri Luciano Spalletti, në vend të Francisco Conceiçãos, dhe menjëherë i ka dhënë më shumë gjallëri fazës ofensive të Juventusit.
Anësori kosovar ka provuar plot pesë goditje në kuadratin e portës, por në asnjë rast nuk ka arritur ta mposhtë portierin Elia Caprile.
Rekord i veçantë në Serie A
Sipas statistikave të publikuara nga “Tuttomercatoweb”, që nga sezoni 2004/05, kur Serie A është rikthyer në formatin me 20 skuadra, asnjë futbollist i aktivizuar nga banka rezervë nuk ka regjistruar më shumë se pesë goditje në kuadratin e portës në një ndeshje të vetme.
Zhegrova e ka barazuar këtë rekord, të cilin më parë e kishin arritur vetëm dy futbollistë të tjerë: Luis Muriel me Atalantën ndaj Udineses, në qershor të vitit 2020, dhe Lautaro Martínez me Interin ndaj Salernitanës, në shtator të vitit 2023.
Edhe pse nuk ka shënuar, paraqitja e kosovarit ka qenë një sinjal pozitiv për Juventusin, që ka kërkuar fitoren, por është dashur të kënaqet me një pikë.
Spalletti gjen një armë të rëndësishme nga banka
Kjo nuk është hera e parë që Zhegrova ka ndikuar në lojën e Juventusit pas aktivizimit si zëvendësues.
Në ndeshjen ndaj Sassuolos, ai kishte realizuar dy gola, duke dëshmuar se mund të jetë vendimtar edhe kur nuk e nis takimin nga minuta e parë.
Megjithatë, trajneri Spalletti nuk do të mund ta ketë në dispozicion kosovarin për ndeshjen e së enjtes ndaj Celta Vigos në Ligën e Evropës, pasi ai nuk është përfshirë në listën e Juventusit për këtë garë.
Pavarësisht kësaj, paraqitja ndaj Cagliarit e ka konfirmuar Zhegrovën si një alternativë të rëndësishme në repartin ofensiv të skuadrës italiane.



