Kosova nënshkruan marrëveshje prej 41 milionë eurosh me bankat evropiane për sektorin e shëndetësisë

12 tetor 2026 | 13:29

Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 41 milionë eurosh me Bankën Evropiane të Investimeve (EIB) dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës (CEB), për financimin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës shëndetësore.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka bërë me dije  se projekti do të mundësojë sigurimin e pajisjeve moderne mjekësore dhe përmirësimin e infrastrukturës në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe Gjilanit.

“Qeveria e Republikës së Kosovës, e përfaqësuar nga Ministria e Financave, sot po nënshkruan bashkë me Bankën Evropiane të Investimeve dhe Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës marrëveshje kredie për projektin e pajisjeve mjekësore dhe përmirësimit të infrastrukturës. Vlera e përgjithshme e këtij projekti është 41 milionë euro, dhe bashkëfinancimi është i ndarë barabartë nga dy bankat, pra EIB dhe CEB. Investimi do të sigurojë pajisje mjekësore moderne dhe do të ndikojë në infrastrukturën e pacientëve në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë, si dhe në spitalet rajonale të Prizrenit, Pejës, Gjakovës dhe atë të Gjilanit”, ka deklaruar Murati.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, ka thënë se modernizimi i infrastrukturës dhe i teknologjisë mjekësore është një nga prioritetet e Strategjisë Sektoriale të Shëndetësisë 2025–2030.

“Strategjia Sektoriale e Shëndetësisë 2025–2030 pasqyron prioritetet e Qeverisë së Republikës së Kosovës për sektorin e shëndetësisë. Në objektivat strategjikë të kësaj strategjie, kemi identifikuar riorganizimin e institucioneve shëndetësore dhe modernizimin e infrastrukturës dhe teknologjisë mjekësore si një nga prioritetet e sotme. Strategjia i jep një rëndësi të veçantë përmirësimit të infrastrukturës fizike të institucioneve shëndetësore sekondare dhe terciare, si dhe furnizimit të tyre me pajisje mjekësore moderne për një periudhë afatgjatë”, ka thënë Vitia.

Ndërsa zëvendëspresidenti i Bankës Evropiane të Investimeve, Robert de Groot, ka vlerësuar se investimet në shëndetësi janë ndër mënyrat më të drejtpërdrejta përmes të cilave institucionet publike u ofrojnë shërbime qytetarëve.

“Kujdesi shëndetësor është një nga mënyrat më të dukshme përmes të cilave investimet publike ofrojnë shërbime për njerëzit. Çdo ditë, 24 orë në ditë, shtatë ditë në javë, qytetarët duhet të jenë në gjendje të mbështeten te kujdesi thelbësor mjekësor për veten dhe familjet e tyre. Dhe duke nënshkruar këtë operacion sot, ne po ndihmojmë për të siguruar që profesionistët shëndetësorë dhe pacientët në mbarë Kosovën të kenë qasje në pajisje dhe lehtësira moderne. Kjo do të thotë pajisje mjekësore të avancuara dhe përmirësim i infrastrukturës mbështetëse, duke rezultuar në diagnostikim më të mirë, trajtim më efektiv dhe kujdes të përmirësuar për pacientët”, ka deklaruar de Groot.

Edhe zëvendësguvernatori për Strategjinë e Zhvillimit Social në Bankën për Zhvillim të Këshillit të Evropës, Johannes Böhmer, ka theksuar rëndësinë e investimeve në sistemin shëndetësor.

“Mund të themi se pa shëndet, çdo gjë është asgjë. Dhe mendoj se popullatat në të gjitha vendet tona presin një sistem të fortë shëndetësor si një shërbim bazë që qeveritë duhet ta sigurojnë në mënyrë që të mbajnë popullatën e tyre funksionale. Pa shëndet, shumë gjëra të tjera bëhen dytësore dhe për këtë arsye, kjo është edhe më e rëndësishme”, ka thënë Böhmer.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Kuvendi i Kosovës do të mbajë seancë plenare të enjten,…