Nagavci pas deklaratës së Marta Kosit: Për Specialen na duhet strategji shtetërore

12 tetor 2026 | 13:33

Shefja e grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (LV), Arbërie Nagavci, ka thënë se Kosovës i nevojitet koordinim ndërmjet institucioneve për të siguruar një proces të suksesshëm të apelimit në çështjen e Gjykatës Speciale, pas deklaratës së komisionares së Bashkimit Evropian për Zgjerim, Marta Kos, se ndryshimet në Ligjin për Specialen janë të papranueshme për BE-në.

Nagavci ka theksuar se harmonizimi i qëndrimeve të Kuvendit, qeverisë dhe diplomacisë është i rëndësishëm për vendin. Ajo ka rikujtuar se LV-ja kishte shprehur rezerva për trajtimin e kësaj çështjeje përmes një projektligji, duke vlerësuar se do të duhej një strategji shtetërore.

“S’ka asnjë dyshim që është në interes vital të rëndësishëm për Republikën e Kosovës që të kemi një harmonizim të të gjitha institucioneve, pra të Kuvendit, të qeverisë, të diplomacisë sonë dhe të gjitha drejtimeve, në mënyrë që apelimi në Gjykatën e Apelit të bëhet në mënyrë të suksesshme. Nevojitet më shumë se asnjëherë një koordinim në raport me adresimin në Gjykatën e Apelit. Sa i përket projektligjit, ju e dini që ne si Lëvizje Vetëvendosje, edhe në seancë, pra me fjalimin që unë kam pasur si kryetare e grupit parlamentar, por edhe kryeministri Kurti, si dhe në diskutimet që kemi pasur formale e joformale me iniciuesit e projektligjit, kemi shprehur rezervat tona në raport me adresimin e kësaj çështjeje përmes projektligjit, sepse kemi besuar që kjo duhet të bëhet nëpërmjet një strategjie shtetërore, në mënyrë që të jemi të suksesshëm në këtë drejtim”, ka deklaruar Nagavci, raporton “Ekonomia Online”.

Megjithatë, Nagavci ka thënë se LV-ja u ka dhënë mbështetje deputetëve që kanë vlerësuar se ndryshimet ligjore janë rruga e duhur. Ajo ka bërë thirrje për bashkëpunim politik dhe institucional për të adresuar këtë çështje.

“Gjithsesi, siç e kemi thënë edhe në seancë, ne u kemi dhënë mbështetje deputetëve që kanë besuar se kjo është rruga e duhur. Kështu që edhe në këtë pikë na nevojitet koordinim dhe bashkëpunim për ta adresuar qëllimin e përbashkët që kemi, për të dhënë maksimumin dhe për të shprehur bindjen tonë se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ka qenë luftë e drejtë, e pastër dhe çlirimtare, ndërsa agresion dhe gjenocid ka kryer Serbia.

Në këtë pikë, unë mendoj se nuk ka asnjë dilemë apo dyshim, jo vetëm nga deputetët dhe partitë politike, por as nga secili qytetar i Republikës së Kosovës dhe jo vetëm. Andaj, na nevojitet të tejkalojmë protagonizmin, siç e kemi parë edhe në të kaluarën, dhe të punojmë bashkërisht që të jemi të suksesshëm në adresimin e kësaj sfide”, ka thënë Nagavci.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Republika e Kosovës ka nënshkruar marrëveshje në vlerë prej 41…