Shqipëria dhe Izraeli nënshkruajnë marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha

12 tetor 2026 | 14:39

Shqipëria dhe Izraeli kanë nënshkruar një marrëveshje për bashkëpunim në disa fusha, përfshirë sigurinë, teknologjinë, ekonominë dhe shëndetësinë.

Marrëveshja për Bashkëpunimin e Përgjithshëm është nënshkruar në Tiranë nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme i Shqipërisë, Ferit Hoxha, dhe homologu i tij izraelit, Gideon Saar, i cili po qëndron për një vizitë zyrtare në Shqipëri.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, marrëveshja synon të krijojë një kuadër bashkëpunimi ndërmjet dy qeverive dhe të mundësojë zhvillimin e projekteve të përbashkëta në fusha me interes të ndërsjellë.

Këto fusha përfshijnë tregtinë, inovacionin dhe teknologjinë, bujqësinë, menaxhimin e ujërave, energjinë, shëndetësinë, arsimin, sigurinë, turizmin dhe kulturën.

Ministri Hoxha ka thënë se nënshkrimi i marrëveshjes shënon një pikë të rëndësishme në marrëdhëniet mes dy vendeve, duke veçuar bashkëpunimin në fushën e sigurisë.

“Shqipëria dhe Izraeli i kushtojnë rëndësi të veçantë luftës kundër terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm, luftës kundër antisemitizmit, përballimit të kërcënimeve hibride dhe rreziqeve të reja ndaj sigurisë kombëtare”, ka thënë Hoxha.

Ai ka theksuar gjithashtu rëndësinë e bashkëpunimit në sigurinë kibernetike, duke falënderuar Izraelin për mbështetjen që i ka dhënë Shqipërisë pas sulmeve kibernetike të vitit 2022.

“I jemi thellësisht mirënjohës Izraelit për mbështetjen e çmuar që i ka dhënë Shqipërisë në forcimin e kapaciteteve tona të mbrojtjes kibernetike, pas sulmeve brutale kibernetike të Iranit dhe grupeve të lidhura me të, në vitin 2022, kundër infrastrukturës sonë kryesore dixhitale”, ka thënë ai.

Hoxha ka shtuar se Shqipëria synon ta forcojë më tej bashkëpunimin me Izraelin në këtë fushë.

Duke folur për zhvillimet në Lindjen e Mesme, ministri Hoxha ka dënuar sulmet e Iranit dhe të grupeve të lidhura me të, duke thënë se ato cenojnë paqen dhe sigurinë në rajon. Ai ka rikujtuar gjithashtu qëndrimin e Shqipërisë ndaj Teheranit, të cilin vendi e ka shpallur shtet sponsorizues të terrorizmit.

Hoxha ka thënë se gjatë takimit është diskutuar edhe për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor. Sipas tij, njohja e Kosovës nga Izraeli dhe marrëdhëniet mes dy vendeve janë pjesë e përpjekjeve për forcimin e stabilitetit dhe bashkëpunimit në rajon.

Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, ka vlerësuar mbrojtjen që Shqipëria u ofroi hebrenjve gjatë Luftës së Dytë Botërore, si dhe qëndrimin e saj kundër Hamasit, organizatë e shpallur terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian.

“Është koha që ta kthejmë miqësinë në vepra dhe ta zgjerojmë partneritetin tonë”, ka thënë Saar.

Sipas Ministrisë së Jashtme të Shqipërisë, në takim është diskutuar edhe për sfidat e sigurisë rajonale dhe globale, si dhe për kontributin e Shqipërisë në kuadër të Bordit të Paqes.

Bashkëpunimi në mbrojtje dhe siguri

Marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Izraelit janë zgjeruar vitet e fundit, përfshirë në fushat e mbrojtjes, sigurisë kibernetike, shëndetësisë, bujqësisë dhe turizmit.

Në vitin 2025, kompania shtetërore shqiptare KAYO dhe kompania izraelite Elbit Systems kanë njoftuar bashkëpunimin për ngritjen e një akademie të aviacionit në Vlorë. Projekti synon trajnimin e pilotëve ushtarakë dhe civilë, si dhe të kontrollorëve të trafikut ajror.

Në fushën e teknologjisë, dy vendet kanë bashkëpunuar për forcimin e sigurisë kibernetike, shkëmbimin e ekspertizës dhe mbrojtjen e infrastrukturës digjitale.

Ndërkohë, më 24 maj, Kuvendi i Shqipërisë ka miratuar ligjin për pjesëmarrjen e Forcave të Armatosura shqiptare në operacionin e Forcës Ndërkombëtare të Stabilizimit në Gazë.

Ligji parasheh mundësinë e angazhimit të deri në 40 ushtarakëve shqiptarë në këtë mision. Detyrat e tyre mund të përfshijnë garantimin e sigurisë dhe stabilitetit, mbrojtjen e personelit dhe infrastrukturës, mbështetjen e operacioneve humanitare, si dhe monitorimin dhe raportimin e situatës së sigurisë, në përputhje me mandatin e misionit dhe kuadrin e Bordit të Paqes.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidenti i klubit gjerman, Herbert Hainer, ka folur për mundësinë…