Rusia s’e respekton armëpushimin, godet gjashtë objekte energjetike në Ukrainë
Rusia ka goditur gjashtë objekte energjetike në Ukrainë, vetëm disa orë pasi presidenti amerikan Donald Trump njoftoi se Moska dhe Kievi kishin rënë dakord për një armëpushim në sektorin e energjisë. Lajmi është bërë i ditur nga presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky, i cili akuzoi Moskën se po vazhdon sulmet, pavarësisht marrëveshjes së njoftuar.
Megjithëse Trump deklaroi të dielën se armëpushimi do të hynte në fuqi menjëherë, Zelensky tha se forcat ruse kishin goditur pikat e furnizimit me gaz, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera. Sipas presidentit ukrainas, nga sulmet ndaj objekteve energjetike në të gjithë vendin janë plagosur 33 persona.
“Ne nuk sulmuam, ndërsa Rusia goditi pikat tona të furnizimit me gaz, infrastrukturën energjetike dhe objekte të tjera”, deklaroi Zelensky në një intervistë për Fox News. Ai shtoi se, sipas tij, sulmet përbënin përgjigjen e presidentit rus Vladimir Putin ndaj Donald Trump.
Pas një sulmi rus që dëmtoi rrjetet elektrike, qyteti i Iziumit përjetoi ndërprerje të energjisë elektrike, raportoi agjencia shtetërore ukrainase e lajmeve Ukrinform. Gjatë natës, në shënjestër u vunë gjithashtu infrastruktura energjetike dhe ajo hekurudhore në Ukrainën perëndimore.
Operatori shtetëror i rrjetit elektrik të Ukrainës, Ukrenergo, raportoi të hënën ndërprerje të reja të energjisë në rajonet e Harkivit, Donetskut dhe Zaporizhias, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga sulmet ruse ndaj pajisjeve energjetike.
Për të shmangur mbingarkimin e pajisjeve të dëmtuara, në disa zona të vendit janë vendosur kufizime në furnizimin me energji elektrike.
Në një reagim në rrjetin social X, Zelensky deklaroi se sulmet tregojnë se Rusia nuk është e gatshme të pranojë një armëpushim në sektorin e energjisë.
Ndërkohë, ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavrov, deklaroi të hënën se Ukraina nuk e meriton lehtësimin e tensioneve që do të sillte një armëpushim.
**Sulm me dron në Kiev, një i vdekur dhe 11 të plagosur**
Sulmet ruse kanë prekur edhe zonat e banuara. Të hënën në mbrëmje, kryebashkiaku i Kievit, Vitali Klitschko, njoftoi se një dron kishte goditur një ndërtesë banimi 25-katëshe në distriktin Darnytskyi.
Sipas tij, disa automjete në oborrin e ndërtesës morën flakë. Nga sulmi mbeti i vdekur një person, ndërsa 11 të tjerë u plagosën.
Zhvillimet vijnë në një kohë kur çmimet e karburanteve dhe tensionet ndërkombëtare mbeten në fokus të administratës amerikane, ndërsa përpjekjet për të ndalur sulmet ndaj infrastrukturës energjetike në Ukrainë nuk kanë sjellë ende rezultatet e pritshme.



