Zelensky akuzon Rusinë për shkeljen e armëpushimit të Trumpit për sulmet në infrastrukturë të energjisë
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, e akuzoi Rusinë se nuk po i përmbahet armëpushimit të shpallur nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, për sulmet ajrore ndaj infrastrukturës energjetike, ndërsa zyrtarë në mbarë Evropën kërkuan sqarime për armëpushimin dhe marrëveshjen e udhëheqësit amerikan me Moskën për të lejuar eksportet ruse të naftës.
Trumpi ka këmbëngulur se armëpushimi – të cilin e shpalli në mënyrë të njëanshme më 11 tetor – është në fuqi, pavarësisht se asnjëra palë nuk e ka konfirmuar këtë.
Zelensky, i cili citohet të ketë thënë se armëpushimi ishte “lajm për mua”, shkroi në një postim në rrjetet sociale se, gjatë dy ditëve të fundit, Ukraina është përmbajtur nga sulmet ndaj rafinerive ruse të naftës, siç kishte kërkuar Trumpi.
Por, shtoi ai, Rusia nuk ka vepruar në të njëjtën mënyrë.
“Gjatë kësaj kohe, rusët kanë sulmuar si objektet tona energjetike, ashtu edhe infrastrukturën tonë kritike, duke dërguar sinjale krejtësisht të qarta se nuk kanë ndërmend të përmbahen nga sulmet ndaj Ukrainës”, shkroi Zelenskyy më 13 tetor.
Në të kaluarën, udhëheqësi amerikan ka deklaruar se palët kishin rënë dakord të ndalonin sulmet ndaj objekteve energjetike, së fundmi më 14 shtator, por presidenti rus, Vladimir Putin, i ka vazhduar sulmet, duke shuar çdo shpresë për një armëpushim të qëndrueshëm.
Më vonë, më 12 tetor, Zelensky tha se Ukraina është e gatshme t’i ndalë sulmet ndaj rafinerive ruse nëse Moska pranon t’i ndalë sulmet ndaj sistemeve energjetike ukrainase.
Ndërkohë, i pyetur nëse të dyja palët ishin pajtuar për armëpushimin, Trump u tha gazetarëve: “U pajtuan. E dini pse? Sepse unë thashë: ‘Ju pajtoheni’ – prandaj. U pajtuan sepse unë thashë se ishin pajtuar, dhe kjo çështje duhet të zgjidhet”.
I pyetur nga Radio Evropa e Lirë për raportimet mbi shkeljet ruse të marrëveshjes, Trump tha se “nuk ishte i sigurt për këtë”, duke shtuar se presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, dhe homologu i tij rus, Vladimir Putin, “duhet të takohen dhe t’i japin fund asaj lufte të pakuptimtë”.
Trump njoftoi në rrjetet sociale më 11 tetor se të dyja palët ishin pajtuar për një armëpushim energjetik që do të hynte në fuqi menjëherë.
Moska ende nuk e ka konfirmuar njoftimin, ndërsa Zelensky, sipas raportimeve, i tha mediumit Axios se propozimi ishte “lajm për mua”.
Vetëm disa orë pas njoftimit të Trumpit, dronë rusë goditën një termocentral në Kiev dhe objekte energjetike në qytetin e Harkivit, duke shtuar paqartësitë rreth situatës.
“Nëse Rusia dëshiron që ne t’i ndalim sulmet tona me rreze të gjatë veprimi ndaj rafinerive të saj të naftës dhe eksporteve të naftës, atëherë Rusia duhet t’i ndalë sulmet ndaj sistemit tonë energjetik dhe infrastrukturës kritike, si dhe të ndalë vrasjen e njerëzve tanë”, tha Zelensky në një fjalim përmes videolidhjes në Forumin e Sigurisë së Varshavës më 12 tetor.
Trump mbrojti gjithashtu një marrëveshje për lejimin e eksporteve të naftës dizel nga Rusia, të cilën e njoftoi fillimisht pas një bisede me Putinin më 9 tetor.
Ai argumentoi se Evropa kishte vazhduar të blinte energji ruse pavarësisht luftës. Edhe pse disa vende evropiane vazhdojnë të blejnë energji nga Rusia, importet e gazit natyror dhe naftës bruto kanë rënë ndjeshëm, teksa kontinenti po përpiqet të shkëputet nga furnizimet ruse.
Trump ka thënë se, sipas marrëveshjes, Shtetet e Bashkuara do të importojnë menjëherë 300.000 tonë naftë dizel nga Rusia, ndërsa pritet të pasojnë edhe miliona tonë të tjerë.
Në kuadër të kësaj mase, Zyra për Kontrollin e Pasurive të Huaja (OFAC) e Departamentit amerikan të Thesarit lëshoi Licencën e Përgjithshme 135, e cila autorizon transaksionet që përfshijnë naftën dizel ruse, përfshirë importet në Shtetet e Bashkuara, deri më 7 prill 2027.
Administrata amerikane e ka paraqitur marrëveshjen si një përgjigje ndaj çmimeve të larta të karburanteve, në prag të zgjedhjeve të mesmandatit, më 3 nëntor.
Megjithatë, vendimi ka nxitur kritika të shumta nga demokratët dhe madje edhe nga disa zyrtarë republikanë, të cilët paralajmëruan se ai do ta inkurajonte Putinin të vazhdonte luftën kundër Ukrainës.
Trump i hodhi poshtë kritikat e republikanëve ndaj marrëveshjes, duke thënë se ata “nuk mund ta kenë seriozisht”.
Më 11 tetor, një grup dypartiak prej shtatë senatorësh i kërkoi administratës ta anulonte vendimin, duke paralajmëruar se të ardhurat e Rusisë nga energjia ndihmojnë në financimin e luftës së Moskës kundër Ukrainës.
Shtetet e Bashkuara “nuk duhet t’i ofrojnë Putinit një mbështetje financiare shpëtimtare, ndërkohë që Rusia vazhdon të vrasë civilë ukrainas”, thuhej në deklaratë.
Deklarata u nënshkrua nga senatorët republikanë Susan Collins, Thom Tillis, John Curtis dhe Lisa Murkowski, si dhe nga demokratët Jeanne Shaheen, Richard Blumenthal dhe Ron Wyden.
Më 12 tetor, senatori republikan Jerry Moran nga Kansasi paralajmëroi se lejimi i importeve të naftës dizel ruse rrezikonte “të na e shkatërronte ndikimin, të dëmtonte besueshmërinë tonë te aleatët dhe të inkurajonte kundërshtarët tanë”.
Ndërkaq, republikani Tom Emmer, e mbrojti presidentin, duke e cilësuar marrëveshjen si “një tjetër shembull të presidentit tonë që mendon jashtë kornizave” dhe si një hap tjetër drejt zgjidhjes së luftës.
Analistët e energjisë që folën për Radion Evropa e Lirë vunë në dyshim nëse furnizimet shtesë mund të ndikojnë ndjeshëm në çmime para zgjedhjeve.
Mark Temnycky, bashkëpunëtor i jashtëm në Qendrën për Euroazinë të Këshillit Atlantik, i tha Radios Evropa e Lirë se 300.000 tonët e naftës dizel të njoftuar do të përbënin afërsisht gjysmën e konsumit ditor të Shteteve të Bashkuara, bazuar në të dhënat e Administratës amerikane për Informimin mbi Energjinë.
Temnycky vuri në dyshim nëse Rusia do të mund t’i dorëzonte sasitë e premtuara, duke përmendur kufizimet në prodhim dhe eksporte pas sulmeve ukrainase ndaj rafinerive ruse.
Ai paralajmëroi se lehtësimi i sanksioneve pa siguruar lëshime nga Moska mund ta dobësonte presionin ndërkombëtar ndaj Rusisë dhe t’i siguronte Moskës të ardhura shtesë, si dhe një fitore politike për Putinin.
Ariel Cohen, drejtor menaxhues për energjinë, rritjen ekonomike dhe sigurinë në Qendrën Ndërkombëtare për Tatime dhe Investime, tha se Trump duhet ta shfrytëzojë ndikimin e Shteteve të Bashkuara për të siguruar një armëpushim, në vend që ta trajtojë një marrëveshje energjetike si zëvendësim të përparimit drejt paqes.
Cohen shtoi se çdo armëpushim energjetik duhet të jetë i ndërsjellë dhe të përfshijë objektet e prodhimit të energjisë elektrike dhe rrjetet energjetike të Ukrainës, si dhe portet energjetike, tubacionet dhe rafineritë e Rusisë.
“Duhet të përfshihet e gjithë infrastruktura energjetike, përfshirë të gjitha objektet e prodhimit të energjisë elektrike dhe rrjetin energjetik në Ukrainë, në këmbim të porteve energjetike, tubacioneve energjetike dhe rafinerive të naftës në Rusi”, tha ai.
William Taylor, ish-ambasador amerikan në Ukrainë, i cili shërbeu gjatë presidencës së George W. Bushit dhe administratës së parë të Trumpit, i tha Radios Evropa e Lirë se armëpushimi nuk mund të hyjë në fuqi pa pëlqimin e të dyja palëve.
Taylor tha se Zelensky kishte shprehur gatishmërinë e tij për t’u përfshirë, por se ai nuk kishte parë asnjë dëshmi se Putin ishte pajtuar t’i ndalte sulmet. /REL



