AGK dhe OBCT publikojnë Raportin Hije për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve në Kosovë

13 tetor 2026 | 19:10

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), në bashkëpunim me Osservatorio Balcani Caucaso Transeuropa (OBCT), publikoi sot në Europe House Prishtina Raportin Hije për Lirinë e Medias dhe Sigurinë e Gazetarëve në Kosovë, i cili trajton zhvillimet dhe sfidat në sektorin e medias gjatë periudhës janar 2025 – maj 2026.

Ngjarja u hap me fjalët përshëndetëse të Nikola Gaon, Shef i Komunikimit dhe Zëdhënës i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, dhe Chiara Castaldo, Zëvendësambasadore e Italisë në Kosovë.

Gjetjet kryesore dhe rekomandimet e raportit u prezantuan nga Getoarbë Mulliqi, Drejtore Ekzekutive e AGK-së, dhe Serena Epis, përfaqësuese e OBCT-së.

Raporti evidenton sfidat e vazhdueshme për lirinë e medias dhe sigurinë e gazetarëve, përfshirë sulmet, kërcënimet dhe gjuhën denigruese ndaj gazetarëve, presionet politike dhe ekonomike ndaj mediave, si dhe vështirësitë në funksionimin e institucioneve përgjegjëse për rregullimin dhe pavarësinë e sektorit medial.

Vëmendje e veçantë u është kushtuar zhvillimeve që lidhen me Radiotelevizionin e Kosovës (RTK) dhe Komisionin e Pavarur të Mediave (KPM), përfshirë proceset e emërimeve, pavarësinë institucionale dhe sfidat në funksionimin e tyre. Raporti trajton gjithashtu kushtet e punës së gazetarëve, qasjen në dokumente publike dhe nevojën për mekanizma më efektivë të mbrojtjes së gazetarëve.

Pas prezantimit u zhvillua paneli “Liria e Medias, të Drejtat dhe Siguria e Gazetarëve në Kosovë”, me pjesëmarrjen e Mexhide Demollit nga Lëvizja FOL, Ehat Miftarajt nga Instituti i Kosovës për Drejtësi dhe Muhamet Hajrullahut nga Telegrafi. Diskutimi u moderua nga Xhemajl Rexha, Kryetar i Bordit të AGK-së.

Raporti synon të kontribuojë në vlerësimin e pavarur të gjendjes së lirisë së medias në Kosovë, duke ofruar gjetje dhe rekomandime relevante për procesin e integrimit evropian dhe vlerësimet e Komisionit Evropian.

Publikimi është realizuar në kuadër të projektit ATLIB – Transnational Advocacy for Freedom of Information in the Balkans, me mbështetjen e Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Bashkëpunimit Ndërkombëtar të Italisë. Ngjarja u organizua në Europe House Prishtina.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Presidentja e Republikës së Kosovës, Justina Shiroka-Pula, sot ka vizituar…