Teatri Kombëtar i Kosovës shënon 80-vjetorin e themelimit
Tetë dekada në shërbim të artit skenik, të krijimtarisë dhe të zhvillimit të kulturës në Kosovë.
Që nga themelimi në Prizren, më 1946, e deri më sot në Prishtinë, Teatri Kombëtar i Kosovës ka ndërtuar një histori të rëndësishme, të shënuar nga puna e brezave të artistëve dhe veprat që kanë lënë gjurmë në kujtesën kulturore të vendit.
Në kuadër të shënimit të këtij përvjetori, Posta e Kosovës promovoi pullën postare kushtuar Teatrit Kombëtar të Kosovës, duke e përjetësuar në këtë mënyrë historinë dhe kontributin e tij në kulturën tonë.
Në ceremoninë e organizuar me këtë rast morën pjesë kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ministrja e Kulturës dhe Turizmit, Saranda Bogujevci, kryeshefja ekzekutive e Postës së Kosovës, Nora Rraci, drejtori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Kushtrim Mehmeti, si dhe artistë e artdashës.



