Amerika në Bondsteel
Shkruan: Prof. Agim R. ZOGAJ
Siguria e kufinjëve të Republikës së Kosovës
Republika e Kosovës, pas konstituimit demokratik të institucioneve, më 6 tetor 2026, gjendet para thirrjeve të reja të historisë së shtetformimit të vendit tonë. Gjithsesi, ndër objektivat më të rëndësishme, pas, përgatitjës së shtetit tonë për Apel, mbrojtjën e çlirimtarëve, vazhdon të jetë, siguria e kufinjëve të shtetit, ruajtja e substancës kombëtare, forcimi i kapaciteteve të ushtrisë, të policisë dhe, çdo segmenti institucional që ndërlidhet me sigurinë tonë kombëtare, shtetërore. Në këtë objektiv, rikthimi i Dialogut Strategjik me aleatin tonë, ShBA-të është ndër prioritetet e politikës sonë shtetërore, qeveritare, parlamentare, presidenciale. Propozimi i Qeverisë së Kosovës, Kryeministrit Kurti në takimet, ditë më parë, me zyrtarët e lartë amerikan, që Kampi Bondsteel të shndërrohet në bazë të përhershme të ushtrisë amerikane, pra, të ShBA-së, është zhvillimi më i ri dhe më i rëndësishëm, në kontekstin e rikthimit të Dialogut Strategjik midis ShBA dhe Kosovës. Kjo temë, e shtruar së fundi edhe në takimin e Kryeministri Kurti me dy senatorët amerikanë, Dick Durbin dhe Jeanne Shaheen është, përtej një teme diplomatike midis dy vendeve mike.
Në gjeopolitikën rajonale, veçmas në kontekstin e kërcënimeve të hapura të Serbisë, ndaj integritetit dhe sovranitetit territorial të shtetit tonë, vendimi për shndërrimin e Kampit Bondsteel në Bazë të përhershme të Ushtrisë Amerikane në Kosovë do të ketë rëndësi historike. Në radhë të parë, dhe mbi të gjitha, me vendosjën e ushtrisë amerikanë me stataus të përhershëm në Bondsteel, Kosova fiton sigurinë afatgjate, të gjithmotshme. E dyta, natyrisht, edhe me ushtrinë e Kosovës, forcohet siguria e kufinjëve të shtetit tonë, në raport me kërcënimet dhe planet hegjemoniste të Serbisë. Së treti, ushtria e Kosovës, në bashkëpunim të përhershëm me ushtrinë amerikane, i avanson standardet, kushtet, kriteret për anëtarësim sa më të shpejtë të Kosovës në NATO.
Kosova, përmes Bondsteelit, gjeopolitikë e ShBA-së!
Gjithashtu, vendosja e bazës ushtarake amerikane në Bondsteel, do të jetë dëshmi, garancë, se, Kosova, territori i saj, sikur edhe Shqipëria, do të jetë, përherë, me prioritet, zonë me interes të gjeopolitikës amerikane. Kemi parasysh nevojat e përhershme operacionale, gjeografinë si dhe prioritetet e gjeopolitikave globale për ShBA-të. Pentagoni e di fare mirë se, Republika e Kosovës është në një pozicion, territor tejet gjeostrategjik. Shteti i Kosovës, pra, edhe Shqipëria, shtrihet, ndodhet në hapësirën gjeostrategjike ku kryqëzohen shumë intersa vitale të NATO-së, planet hegjemoniste të popujve sllavë, në radhë të parë, të Serbisë dhe të Rusisë, për dalje në detin shqiptar. Rusia, pas pushtimit të territoreve në Ukrainë, po synon që, përmes Serbisë, Republikës Serbe në Bosnje, ta shtrijë ndikimin e saj në rajonin e Ballkanit të trazuar. Pra, Bondsteeli, si kamp i pëhershëm i ushtrisë amerikane në Republikën e Kosovës do të jetë, poashtu, në interes edhe të planeve, objektivave gjeostrategjike të politikës së jashtme amerikane. Prandaj, Kosova duhet t’i përshpejtojë negociatat me administratën e Presidentit Trump, në mënyrë që, marrëdhëniet e sigurisë me ShBA-të të marrin dimension të përhershëm dhe të institucionalizuar. Duhet të shfrytëzohet, edhe përmes rikthimit të Dialogut Strategjik me ShBA-në, ky mandat i Presidentit Trump, i cili, në vazhdimësi po dëshmon interes dhe mbështetje për shtetin e Kosovës, çështjen shqiptare. Kjo, në radhë të parë për interes strategjik të shtetit të Kosovës, sidomos, për sigurinë afatgjate, mbrojtjën e kufinjëve shtetëror nga çfarëdo akti terrorist të Serbisë, apo, situate luftë në rajon!



