AKB dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë dënojnë dhunën në Shqipëri, kërkojnë dialog mes qeverisë dhe opozitës

15 tetor 2026 | 09:45

Aleanca Kosovare e Bizneseve (AKB) dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë kanë shprehur shqetësim për aktet e dhunës dhe dëmtimin e pronës publike e private në Shqipëri, duke bërë thirrje për dialog institucional mes qeverisë, opozitës dhe qytetarëve.

Në një reagim, Agim Shahini, në cilësinë e përfaqësuesit të këtyre dy organizatave, ka theksuar se protesta paqësore është e drejtë demokratike, por dhuna dhe sulmet ndaj institucioneve nuk mund të justifikohen si pjesë e saj.

Sipas tij, veprimet që cenojnë rendin kushtetues dhe funksionimin e institucioneve kërkojnë reagim të vendosur dhe zbatim të ligjit.

“Qeveria dhe institucionet shtetërore kanë detyrim të garantojnë rendin, sigurinë e qytetarëve dhe mbrojtjen e pronës. Po ashtu, përgjegjësit për aktet e dhunës duhet të mbajnë përgjegjësi para ligjit, në përputhje me procedurat ligjore”, thuhet në reagim.

AKB-ja dhe Dhoma Kombëtare e Tregtisë kanë paralajmëruar se përplasjet politike nuk duhet të shndërrohen në kosto për bizneset, punëtorët, investitorët dhe ekonominë shqiptare.

Sipas tyre, dhuna dëmton klimën e investimeve, besimin te institucionet dhe imazhin ndërkombëtar të Shqipërisë, duke vështirësuar edhe rrugën e vendit drejt Bashkimit Evropian.

Në këtë drejtim, Shahini u ka bërë thirrje qeverisë, opozitës dhe qytetarëve që të ulen urgjentisht në tryezën e dialogut institucional, duke theksuar se përgjegjësia politike kërkon maturi, kompromis dhe zgjidhje demokratike.

“Shqipëria ka nevojë për institucione funksionale, siguri juridike, mbrojtje të pronës dhe një mjedis të qëndrueshëm për zhvillimin ekonomik”, thuhet në reagim.

Në fund, përfaqësuesit e dy organizatave kanë përcjellë mesazhin: “Jo dhunës! Po dialogut, shtetit të së drejtës dhe integrimit evropian!”

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mos respektimi i rregullave të komunikacionit është një ndër arsyet…