Receta ballkanike e pushtetit jetëgjatë
Nga Shqipëria në Serbi, protestat po mobilizojnë mijëra qytetarë, por shndërrimi i pakënaqësisë në ndryshim politik mbetet sfidë. Partitë në pushtet gëzojnë avantazhe që shkojnë përtej mbështetjes së votuesve, nga përdorimi i burimeve shtetërore deri te ndikimi mbi mediat dhe institucionet.
Gurët dhe blloqet e betonit të hedhura drejt institucioneve, ndërtesat e përfshira nga flakët dhe përplasjet me policinë shënuan protestat e ditëve të fundit në Tiranë.
Ajo që nisi si pakënaqësi për kushtet në universitete, kostot e studimeve dhe perspektivën e punësimit, mobilizoi edhe qytetarë që kundërshtojnë pabarazinë ekonomike dhe Qeverinë e Edi Ramës.
“Kështu nuk shtyhet, sepse ka njerëz që janë bërë miliarderë e supermiliarderë, ndërsa ka të tjerë shumë të varfër. Unë nuk mund të pajtohem me padrejtësinë, me Qeverinë që është shumë arrogante dhe shumë e korruptuar”, ka thënë protestuesja Luljeta Kola për agjencinë e lajmeve “Reuters”.
Pakënaqësia me Qeverinë e Edi Ramës, në pushtet që nga viti 2013, nisi të merrte përmasa më të gjera që në fund të majit, kur kundërshtimi i një projekti turistik pranë zonës së mbrojtur të Zvërnecit nxiti atë që u quajt “Revolucioni i Flamingove”.
Kërkesave fillestare iu shtuan ato kundër korrupsionit dhe për dorëheqjen e kryeministrit.
Megjithatë, deri tani, pozita e tij politike mbetet e pandryshuar.
Vetëm disa orë pas përplasjeve të 13 tetorit në Tiranë, Rama publikoi në rrjetet sociale një video nga takimet e tij në Bruksel, ku zyrtarë të Bashkimit Evropian vlerësuan përparimin e Shqipërisë drejt anëtarësimit.
Të nesërmen, ai vizitoi zyrën e Kolegjit të Evropës në Tiranë, e cila ishte dëmtuar gjatë protestave, dhe fajësoi opozitën për dhunën.
“Sot, kjo është rrënoja e duarve që nuk janë dhe nuk mund të jenë kurrë duart e studentëve”, ka deklaruar Rama, duke theksuar se studentët përfaqësojnë të ardhmen e vendit.
Në Serbi, ndërkohë, pakënaqësia me pushtetin ka marrë përmasa edhe më të gjera.
Protestat e udhëhequra nga studentët, të nisura pas tragjedisë në Stacionin Hekurudhor të Novi Sadit, vazhdojnë prej gati dy vjetësh.
Ato kanë mobilizuar mijëra qytetarë dhe kanë ushtruar presion të vazhdueshëm ndaj pushtetit të partisë së Aleksandar Vuçiqit.
Tani, studentët po e zhvendosin sfidën edhe në arenën zgjedhore, përmes listës së tyre për zgjedhjet e 25 tetorit.
“Serbia jonë ndodhet sot në udhëkryq. Njëra rrugë na çon drejt një Serbie të drejtë, tjetra drejt mafies”, ka thënë studenti Mateja Nikolliq në Beograd, më 10 tetor.
Vuçiqi, i cili ka dominuar politikën serbe për më shumë se 14 vjet, i ka sfiduar vazhdimisht kundërshtarët e tij, duke pretenduar se ata nuk kanë njohuri për drejtimin e shtetit.
Pavarësisht dallimeve mes lëvizjeve protestuese në Shqipëri dhe Serbi, korrupsioni mbetet një nga shqetësimet që i bashkon ato.
Në Indeksin e Perceptimit të Korrupsionit për vitin 2025, të organizatës “Transparency International”, Shqipëria ka marrë 39 pikë nga 100, ndërsa Serbia 33, të dyja nën mesataren globale prej 42 pikësh.
Megjithatë, mobilizimi kundër korrupsionit nuk është domosdoshmërisht i mjaftueshëm për të sjellë ndryshim politik.
Nga protesta te alternativa politike
Elton Skendaj, profesor i Shkencave Politike dhe Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Universitetin Georgetown, ka theksuar se një nga sfidat kryesore të lëvizjeve protestuese lidhet me raportin e tyre me politikën e organizuar.
Ai ka kujtuar përvojën e Serbisë në vitin 2000, kur lëvizja studentore “Otpor” ndihmoi në bashkimin e opozitës dhe mbikëqyrjen e zgjedhjeve që çuan në rrëzimin e Sllobodan Millosheviqit.
Sipas tij, përsëritja e një skenari të tillë sot përballet me pengesa të tjera.
“Të rinjtë, për arsye të kuptueshme, janë thellësisht të zhgënjyer me shumë prej udhëheqësve politikë. Ndonjëherë, e shohin edhe opozitën si pjesë të problemit, ose mendojnë se ajo është vënë nën ndikimin e pushtetit”, ka thënë Skendaj për programin “Expose” të “Radios Evropa e Lirë”.
Ky mosbesim, sipas tij, ua vështirëson lëvizjeve përcaktimin e një strategjie për ta vazhduar angazhimin përtej protestave.
Megjithatë, aftësia për t’u organizuar është vetëm njëra anë e çështjes.
Mundësitë për ta sfiduar pushtetin varen edhe nga kushtet në të cilat zhvillohet gara politike.
Në disa vende të Ballkanit Perëndimor, këto kushte nuk janë të barabarta.
Kur pushteti hyn në garë me avantazh
Në Serbi, vëzhguesit ndërkombëtarë kanë dokumentuar prej vitesh avantazhet e partisë në pushtet, përfshirë përdorimin e burimeve shtetërore, presionin ndaj punonjësve publikë dhe mbulimin e njëanshëm mediatik.
Në raportin për zgjedhjet parlamentare të vitit 2023, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) konstatoi se praktika të tilla kishin krijuar kushte të pabarabarta për konkurrencë.
Politologu Jasmin Mujanoviq ka shprehur dyshime se mbështetja që studentët serbë kanë siguruar përmes protestave do të mund të përkthehet në fitore zgjedhore.
Ai e lidh këtë jo vetëm me kushtet e konkurrencës politike, por edhe me atë që e konsideron tolerancë të Bashkimit Evropian ndaj Vuçiqit.
“Mendoj se, nëse zgjedhjet do të ishin të lira dhe të ndershme, studentët do të kishin mundësi reale për sukses. Por, fatkeqësisht, nuk pres të jetë kështu”, ka thënë Mujanoviq për “Expose”.
Ai ka paralajmëruar mundësinë e manipulimeve zgjedhore që, sipas tij, do t’i mundësonin Partisë Përparimtare Serbe të mbetej në pushtet dhe do ta thellonin përçarjen në shoqëri.
Probleme me barazinë e garës zgjedhore janë dokumentuar edhe në Shqipëri.
Partia Socialiste e Ramës fitoi një tjetër mandat qeverisës në vitin 2025.
Vëzhguesit e OSBE-së i vlerësuan zgjedhjet si konkurruese dhe të administruara profesionalisht, por konstatuan se subjektet politike nuk garuan në kushte të barabarta.
Sipas raportit të tyre, partia në pushtet përfitoi nga përdorimi i burimeve shtetërore, ndërsa u raportuan presione ndaj votuesve dhe probleme me pavarësinë e mediave.
Këto gjetje, megjithatë, nuk e përjashtojnë mbështetjen reale që partitë qeverisëse mund të gëzojnë mes votuesve. Ato tregojnë se popullariteti dhe aftësia e opozitës për të bindur qytetarët nuk janë faktorët e vetëm që ndikojnë në garën politike.
Për më tepër, avantazhet e pushtetit mund të shtrihen edhe përtej zgjedhjeve.
Solveig Richter, profesoreshë e Marrëdhënieve Ndërkombëtare dhe Politikave Transnacionale në Universitetin e Lajpcigut, ka vënë në dukje se në disa vende të rajonit partitë qeverisëse kanë zgjeruar ndikimin mbi institucionet që duhet të kontrollojnë pushtetin.
“Nuk ka më mekanizma të kontrollit dhe balancimit të pushtetit. Procedurat e emërimit janë zyrtare, por kontrollohen nga partitë politike”, ka deklaruar Richter për “Expose”.
Sipas saj, partitë kanë ndryshuar edhe rregullat për emërimin e gjyqtarëve apo funksionimin e mediave, duke zgjeruar kontrollin mbi institucione që duhet të jenë të pavarura.
Problemet me funksionimin e demokracisë pasqyrohen edhe në vlerësimet ndërkombëtare.
Në raportin e vitit 2026, organizata “Freedom House” i klasifikon të gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor si “pjesërisht të lira”, megjithëse ka dallime mes tyre.
Serbia, për shembull, ka 53 pikë nga 100, ndërsa Kosova 61.
Roli i partnerëve ndërkombëtarë
Përveç faktorëve të brendshëm, disa ekspertë argumentojnë se raportet mes forcave politike në Ballkan ndikohen edhe nga qasja e partnerëve ndërkombëtarë.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara kanë mbështetur stabilitetin, reformat dhe integrimin euroatlantik të rajonit.
Megjithatë, Richter vlerëson se bashkëpunimi me qeveritë në pushtet ndonjëherë ka marrë përparësi ndaj kërkesave për llogaridhënie demokratike.
“Fonde të mëdha, të destinuara për të nxitur ndryshime dhe reforma, shpesh janë kanalizuar përmes qeverive. Kjo u ka dhënë partive në pushtet mundësi për korrupsion politik dhe klientelizëm, duke ua forcuar pozitat atyre dhe jo opozitës”, ka theksuar ajo.
Sipas vlerësimit të saj, mekanizmat e krijuar për të mbështetur reformat mund të kenë kontribuuar edhe në forcimin e pozitave të partive qeverisëse.
Ndryshimi i pushtetit nuk garanton ndryshim të demokracisë
Megjithatë, avantazhet e partive qeverisëse nuk e bëjnë të pamundur ndryshimin politik.
Ballkani Perëndimor ka edhe shembuj kur mobilizimi qytetar dhe konkurrenca zgjedhore kanë sjellë qeveri të reja.
Në Maqedoninë e Veriut, protestat e vitit 2016, të njohura si “Revolucioni shumëngjyrësh”, i paraprinë ndryshimit të qeverisë në vitin 2017, pas një krize të gjatë politike.
Në Mal të Zi, zgjedhjet e vitit 2020 i dhanë fund tri dekadave të qeverisjes së Partisë Demokratike të Socialistëve.
Megjithatë, lëvizjet që kontribuuan në këto ndryshime kishin orientime të ndryshme.
“Protestat në Maqedoninë e Veriut kishin orientim kryesisht liberal dhe proevropian. Ato kërkonin demokratizim dhe afrimin e vendit me Perëndimin”, ka vlerësuar Mujanoviq.
Në Mal të Zi, sipas tij, lëvizja kishte karakter konservator, me ndikime të forta fetare dhe nacionaliste.
Këto përvoja tregojnë se ndryshimi i pushtetit nuk nënkupton domosdoshmërisht edhe përmirësim të demokracisë.
Kosova paraqet një përvojë tjetër.
Atje, zgjedhjet kanë sjellë disa herë ndryshime të pushtetit, por nuk i kanë shmangur përplasjet mes partive dhe bllokadat e gjata institucionale.
Sipas Skendajt, Kosova dëshmon se edhe zgjedhjet e lira mund të bashkëjetojnë me polarizim të thellë politik dhe vështirësi në qeverisje.
“Kosova, në fakt, është ndër vendet me zgjedhjet më të lira në rajon, por përballet me çështje të pazgjidhura të statusit dhe polarizim të thellë politik”, ka thënë ai.
Skendaj ka vlerësuar se qasja populiste dhe kundër establishmentit e Lëvizjes Vetëvendosje, përfshirë kundërshtimin ndaj bashkësisë ndërkombëtare dhe partive të tjera, krijon vështirësi kur bëhet fjalë për qeverisjen.
Në Bosnjë dhe Hercegovinë, ndërkaq, pengesat për ndryshim politik janë edhe institucionale.
Marrëveshja e Dejtonit, e cila i dha fund luftës në vitin 1995, vendosi një sistem kompleks të ndarjes së pushtetit mes komuniteteve etnike, që vazhdon të përcaktojë funksionimin politik të vendit.
“Sistemi kushtetues i këtij vendi ua vështirëson shumë votuesve që ta shndërrojnë pakënaqësinë e tyre në ndryshime konkrete, për shkak të dispozitave të tij që bazohen në ndarje etnike”, ka theksuar Mujanoviq.
A mjafton pakënaqësia për ta sfiduar pushtetin?
Nga avantazhet zgjedhore të partive qeverisëse te mosbesimi ndaj opozitës dhe pengesat institucionale, arsyet pse ndryshimi politik mbetet i vështirë nuk janë të njëjta në gjithë Ballkanin Perëndimor.
Megjithatë, sipas Skendajt, lëvizjet protestuese kanë nevojë për më shumë sesa mobilizim qytetar nëse synojnë t’i shndërrojnë kërkesat e tyre në politika konkrete.
“Nuk mjafton vetëm të dalësh në protesta. Duhet të mendosh edhe strategjikisht: si të bashkëpunosh me institucionet dhe partitë politike, si ta angazhosh Bashkimin Evropian për të ushtruar presion ndaj qeverisë kur ajo nuk i dëgjon kërkesat dhe si t’i përfshish institucionet kundër korrupsionit”, ka deklaruar ai.
Sipas tij, artikulimi i kërkesave duhet të shoqërohet me bashkëpunim me aktorë që mund të ndihmojnë në realizimin e tyre.
Në Shqipëri, Rama ka premtuar dialog me studentët. Në Serbi, partia e Vuçiqit do të përballet me listën studentore në zgjedhjet e 25 tetorit.
Dy përgjigje të ndryshme ndaj pakënaqësisë qytetare, por me një pikëpyetje të përbashkët: a do të dëgjohet zëri i tyre edhe pasi të jenë shuar protestat dhe të jenë numëruar votat?



