Tregu i automjeteve i stërmbushur, tregtarët e veturave në Prishtinë ankohen për hapësirën e ngushtë
Tregtarët e veturave në Prishtinë ankohen për hapësirën e ngushtë në lokacionin e ri të tregut, në Bërnicë të Prishtinës.
Sipas tyre, hapësira është e vogël dhe ua pamundëson ekspozimin e plotë të veturave, duke ndikuar njëkohësisht edhe në shitje. Ashtu si në tregun e vjetër, edhe në lokacionin e ri, përveç automjeteve, tregtarët shesin edhe gjësende të tjera, përfshirë mallra ushqimore, shpezë dhe tekstile (veshmbathje).
Tregtari Mentor Raçi ka ngritur këtë shqetësim, duke vlerësuar se tregu i ri nuk i plotëson kushtet e nevojshme për zhvillimin e pazarit.
“Ky treg nuk i plotëson kushtet e pazarit. Më mirë ka qenë atje se këtu. Nuk ka asgjë që plotëson kushtet e tregut. Hapësira është e vogël, myshteritë s’kanë ku ndalen me shikua… Ka rënie të shitjeve”, ka thënë Raçi për “KosovaPress”.
Edhe tregtari Hysni Robelli ka theksuar se hapësira e re është tepër e ngushtë për ekspozimin e automjeteve.
“Shumë ngushtë është për automjete, shumë ngushtë. Derën s’kam ku me hapë, qe deshta me dalë, ku me dalë, duhet me pritë deri në fund. Ka ndiku fort edhe në aspektin e shitjes, jashtëzakonisht shumë”, ka deklaruar Robelli.
Të njëjtat shqetësime i ka shprehur edhe tregtari Lam Kastrati, i cili ka vënë në pah nevojën për investime dhe zgjerimin e hapësirës së tregut.
“Më mirë se atje poshtë është se u rendojke shumë trafiku, por me pasë mundësinë me rritë, me zmadhu, me investu edhe pak më shumë. Hapësira e ngushtë”, ka theksuar Kastrati.
Ashtu si në tregun e vjetër, edhe në lokacionin e ri, përveç automjeteve, tregtarët shesin pemë dhe perime, shpezë, tekstile (veshmbathje) dhe mobilie.
Nga 11 tetori, tregu i veturave në lokacionin e ri
Komuna e Prishtinës ka njoftuar se, nga e diela, më 11 tetor 2026, tregu i deritanishëm i veturave, i cili funksiononte në Zonën Industriale, në drejtim të Fushë Kosovës, do të zhvendoset në hapësirën e re në Bërnicë të Poshtme.
“Ftojmë shitësit, blerësit dhe të gjithë vizitorët që nga kjo datë të drejtohen në lokacionin e ri”, thuhet në njoftimin e Komunës së Prishtinës.



