PSE DHE SI DUHET TA NDIHMOJMË DREJTËSINË?
Shkruan: Hajdin Abazi
Disa lexues të shkrimit tim “Strategjia jonë: ta ndihmojmë drejtësinë” më kanë shkruar komente të ndryshme, ndonjë me tone kritike lidhur me atë se nuk e kam sqaruar si e sa duhet se si mund ta ndihmojmë drejtësinë lidhur me luftën tonë të drejtë e të pastër çlirimtare, u mor vesh në kontekstin e procesit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë.
Moskuptimi i duhur mbase rrjedhë nga fakti se në shkrim nuk e kam elaboruar më konkretisht këtë pohim.
Thelbi është se ne nuk duhet të konfrontohemi me drejtësinë perëndimore, po ta ndihmojmë.
Në të gjitha deklarimet publike, prej protestuesve gjithandej e deri te politikanët, është artikuluar një kërkesë e vetme për drejtësi.
E drejtë.
As më shumë e as më pak, përpos drejtësi.
Drejtësi e paanshme në frymën e filozofit John Rawls.
Po ashtu, është pohuar se drejtësia u ndikua nga Rusia e Serbia, përmes ofrimit të fakteve të fabrikuara.
Se armiqtë e lirisë së Kosovës kanë punuar kundër nuk është as e re e as e panjohur ndaj dhe as ndonjë befasi.
Ajo që ishte lajthitje ishte ishin pritjet tona se Perëndimi e dinte të vërtetën tonë, dhe besonim me aq siguri, sa e neglizhuam angazhimin tonë shtetëror e kombëtar.
Kjo ka bërë që ne të rrimë disi indiferentë, dhe krejt puna në debatin publik u reduktua te financat e ofruara nga shteti, se ato ishin të pamjaftueshme.
Thënë troç, ndihma që ne i ofruam drejtësisë ishte minimale, e kjo jo vetëm në aspektin financiar.
Më shumë dhe kryesorja, nuk e ndihmuam drejtësinë me demantimin e fakteve nga Serbia – se nuk mund të merren për kredibile ato që i ka fabrikuar një shteti që bëri terror e gjenocid ndaj shqiptarëve; se po të bëhet mbështetja ekskluzivisht nga fabrikimet e Serbisë, atëherë e tërë lufta jonë për liri e shpëtim nga gjenocidi mund të gjykohen si kriminale e terroriste!
Nuk e ndihmuan drejtësinë as me ofrimin e fakteve të vërteta, fakte të mbështetura në prova e dëshmi – kurrsesi për të mbrojtur krimin nga kushdo qoftë që është bërë, po për të ndriçuar të vërtetën, për ta dalluar aspektin formal nga gjendja reale në terren në organizimin e UÇK-së.
Kjo ka rëndësi të madhe, sepse gjithherë e pavërteta, fabrikimet e gjoja faktet, ndonëse ofrohen kinse për ta ndihmuar, në të vërtetë e bëjnë drejtësinë të lajthitet, të krijojë pamje të deformuara e bindje të shtrembëra dhe të shpall verdikt që në vend se ta mbështesë të vërtetën, qoftë edhe padashje shmanget nga kjo.
Prandaj, ka rëndësi vendimtare që të ndihmohet drejtësia, dhe ndihma e vetme e drejtë është duke e bërë ta kuptojë të vërteten, atë që ishte njëmend reale.
E si mund ta japim këtë ndihmë?
Sigurisht, jo, në asnjë mënyrë, ashtu si deri më 16 shtator.
Në radhë të parë, duhet ta ndryshojmë gjuhën. Te gjuha e përdorur kishte lëshime konceptuale, filozofike, botëkuptimore e të mentalitetit. Nuk u kapën specifikat e rastit, nuk u përdor gjuha e pikërishme e mishëruar në frymën perëndimore. Kjo duhet të hulumtohet, të kuptohen lajthitjet dhe të gjendet kodi për t’i zbërthyet, prezantuar dhe bërë të kuptueshme për drejtësinë perëndimore. Këtu duhet ekspertizë e nivelit më të lartë perëndimor.
Të dekonstruktohen pretendimet për elemente kriminale në luftën tonë çlirimtare për të arritur heqjen e robërisë dhe pavarësinë nga një shtet që donte të na shfaroste sa edhe sot e kësaj dite e pohon këtë objektiv gjenocidal.
Faktet e fabrikuara nga armiqtë e Kosovës duhet të të zbërthehen e të ndriçohen juridikisht ashtu që të bëhen të dukshme defektet faktografike, provat e manipuluara dhe dëshmitë e orkestruara, si dhe të bëhen me fuqinë e ekspertizës dhe të argumentit sa të bindet paneli gjyqësor.
Se kjo mundet të japë rezultate tashme ka prova. Më 16 shtator ranë poshtë pretendimet e prokurorisë për krime kundër njerëzimit. Kjo falë dëshmive të Wesley Clark e të tjerëve të kësaj kategorie. Këta e ndihmuan drejtësinë të shquante të vërteten se nuk kishte krime kundër njerëzimit.
Në këto linja dhe në funksion të kësaj ndihme drejtësisë duhet të përqendrohet e tërë beteja e Kosovës në Apel, gjithë ekspertët e fushave të ndryshme, lobimi, diplomacia e juristët.
Dhe për këtë objektiv nuk duhet kursyer financat, gjithnjë në funksionin për ta ndihmuar drejtësinë.
Se kjo mund të arrihet tregon fakti se Ramush Haradinaj, ish komandanti i Zonës Operative të UÇK-së për Dukagjin, si dhe Fatmir Limaj, ish komandant i Brigadës 121 “Kumanova”, që të dy anëtarë të Shtabit të Përgjithshëm, pikërisht në Apel u shpallën të pafajshëm dhe u liruan nga të gjitha akuzat.
Në këndvështrimin tim, krejt puna qëndron se a do të dimë apo nuk do të dimë. E vërteta është në duart tona, dhe po qe se do të dimë, ajo do të triumfojë duke e ndihmuar drejtësinë me rrezatimin e vet të kulluar.
Por një gjë duhet ta kemi parasysh. Nuk kemi shumë kohë, çdo ditë që kalon, pa u hedhë në veprim, është një ditë e humbur. Grupi punues nuk ka komoditetin për veprim të ngadaltë, që të mos fundoset në ritmin e slow motion e të prolonguar. Sepse situata është emergjente, si në një krizë natyrore. Dhe grupi punues duhet të veprojë konform kësaj gjendjeje, si një shtab emergjent, të jetë non stop në punë, angazhim e veprim. Që shteti të jetë në kohën e duhur. Këtë shans që e kemi në Apel nuk duhet ta humb Kosova. Duhet ta ndihmojmë drejtësinë që ta kuptojë realitetin e të vërtetës sonë, që ajo të veprojë drejt dhe të jetë e drejtë.



