AP: Marrëdhëniet ShBA – Ukrainë përkeqësohen pas qëndrimeve të Trumpit ndaj Zelenskyt

20 tetor 2026 | 08:10

Marrëdhëniet ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Ukrainës janë përkeqësuar ndjeshëm, pas vendimeve të fundit të presidentit amerikan Donald Trump në raport me Rusinë.

Sipas agjencisë Associated Press (AP), vendimi i Trumpit për të pezulluar zbatimin e sanksioneve të reja ndaj Moskës, si dhe kufizimet në mbështetjen satelitore për ushtrinë ukrainase, kanë shtuar shqetësimet në Kiev.

Presidenti amerikan ka kritikuar vazhdimisht homologun ukrainas, Volodymyr Zelensky, ndërsa ka lënë të hapur mundësinë e negociatave për përfundimin e luftës pa pjesëmarrjen e tij.

“Mendoj se është koha që dikush tjetër të negociojë në emër të Ukrainës”, deklaroi Trump të hënën, kur u pyet nëse do të pranonte negociata pa Zelenskyn.

Deklarata erdhi pas raportimeve se presidenti rus Vladimir Putin kishte propozuar një takim me Trumpin dhe presidentin kinez Xi Jinping për të diskutuar përfundimin e luftës në Ukrainë.

Tensionet janë thelluar edhe pas vendimit të administratës amerikane për të pezulluar sanksionet e reja kundër Rusisë, të miratuara më parë nga Kongresi amerikan.

Trump ka mbrojtur vendimin, duke argumentuar se masat e reja ndëshkuese mund ta largojnë Moskën nga tryeza e negociatave.

Ndërkaq, Zelensky ka paralajmëruar se lehtësimi i presionit ndaj Rusisë mund ta inkurajojë atë të vazhdojë sulmet kundër Ukrainës.

Një tjetër shqetësim për Kievin mbeten kufizimet në sistemin satelitor Starshield, i cili përdoret për komunikimet dhe operacionet ushtarake ukrainase, veçanërisht për dronët.

Zelensky ka deklaruar se kufizimet kanë ndikuar në aftësinë e ushtrisë ukrainase për t’iu kundërpërgjigjur sulmeve ruse. Megjithatë, përgjegjësia për këto kufizime mbetet e paqartë.

Trump ka mohuar se ka urdhëruar kufizimin e shërbimit, ndërsa sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, ka deklaruar se Pentagoni kontrollon sistemin Starshield.

Zhvillimet e fundit kanë nxitur reagime edhe në Kongresin amerikan, ku ligjvënës demokratë dhe republikanë kanë shprehur shqetësime për ndryshimin e qasjes së Uashingtonit ndaj Moskës.

Ish-ambasadori amerikan në Ukrainë, John Herbst, ka vlerësuar se politika aktuale e administratës Trump ndaj Rusisë dhe Ukrainës ndodhet në një nga momentet më shqetësuese.

Ndërkohë, Rusia ka vazhduar sulmet ndaj infrastrukturës energjetike ukrainase. Zelensky ka njoftuar se nga sulmet e fundit janë vrarë 6 persona, përfshirë një nënë dhe fëmijën e saj pak më shumë se 1-vjeçar.

Pavarësisht përkeqësimit të marrëdhënieve, analistët amerikanë vlerësojnë se qëndrimi i Trumpit mund të ndryshojë, ashtu siç ka ndodhur edhe më parë gjatë kontakteve me presidentin ukrainas.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës për vitin…