Përfaqësuesit politikë të Luginës takojnë Naim Tërnavën në prag të zgjedhjeve në Serbi: Shqiptarët duhet të dalin në votime
Kryetarja e Preshevës, Ardita Sinani, ka njoftuar se sot është takuar me kreun e Bashkësisë Islame të Kosovës (BIK), Naim Tërnava, së bashku me përfaqësues të tjerë shqiptarë të Luginës së Preshevës, në prag të zgjedhjeve parlamentare në Serbi, të cilat, sipas njoftimit, do të mbahen më 25 tetor.
Sinani ka bërë të ditur se temë qendrore e takimit ka qenë pjesëmarrja e shqiptarëve në votime dhe rëndësia e përfaqësimit politik të Luginës së Preshevës.
Në një postim, ajo ka falënderuar Tërnavën për pritjen dhe mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Luginës.
“Uniteti dhe bashkëpunimi, vlera që na bashkojnë! Sot patëm nderin të pritemi nga Kryemyftiu i Bashkësisë Islame të Kosovës, Naim ef. Tërnava, në një atmosferë të ngrohtë e vëllazërore. Në qendër të takimit ishte rëndësia e unitetit politik dhe mbështetjes së Listës së Përbashkët Shqiptare në zgjedhjet parlamentare të 25 tetorit. Biseduam për thirrjen drejtuar të gjithë shqiptarëve që të marrin pjesë në votim dhe për rëndësinë e përfaqësimit politik të Luginës së Preshevës. Falënderojmë kryemyftiun për pritjen e përzemërt dhe mbështetjen e vazhdueshme për shqiptarët e Luginës”, ka shkruar Sinani.



