Ministria e Arsimit vazhdon mbështetjen për 54 qendra mësimore që mbështesin mbi 2600 fëmijë

21 tetor 2026 | 13:53

Ministria e Arsimit dhe Shkencës ka nënshkruar kontratat me 10 organizata përfituese të mbështetjes financiare për vitin 2026/2027, të cilat menaxhojnë 54 qendra mësimore që mbështesin mbi 2,600 fëmijë nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë.

Në ceremoninë e nënshkrimit të kontratave me organizata përfituese mori pjesë ministri i Arsimit dhe Shkencës, Hajrulla Çeku, bashkë me Sekretarin e Përgjithshëm të ministrisë, Naim Gashi.

Ministri përgëzoi organizatat përfituese për punën e deritanishme dhe u uroi shumë suksese në zbatimin e projekteve dhe programeve të tyre.

Duke i falënderuar për bashkëpunimin, i ftoi ato që të thellojmë edhe më tej partneritetin dhe angazhimin e përbashkët për përmirësimin e rezultateve të të nxënit, barazisë dhe rritjes së pjesëmarrjes së fëmijëve nga komunitetet rom, ashkali dhe egjiptian në arsim.

Mbështetja është ndarë në kuadër të thirrjes publike “Për ofrimin e mbështetjes financiare për projektet e OJQ-ve që mbështesin dhe promovojnë nxënësit rom, ashkali dhe egjiptian në qendrat mësimore”.

Kjo skemë financimi për qendrat mësimore vazhdon të zbatohet që nga viti 2021, si një mekanizëm bashkëpunimi ndërmjet Ministrisë dhe organizatave joqeveritare që menaxhojnë këto qendra.

Për vitin shkollor 2026/2027 mbështetja financiare ka shënuar rritje krahasuar me vitet paraprake. Për 10 organizata joqeveritare përfituese, është ndarë një shumë prej 370,000 euro, në krahasim me 250,000 euro sa ishin ndarë për vitin e kaluar shkollor.

Mbështetja financiare për vitin shkollor 2026/2027 mundëson vazhdimin e ofrimit të shërbimeve mbështetëse për nxënësit e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes qendrave mësimore, në përputhje me prioritetet e Ministrisë për avancimin e barazisë, përfshirjes dhe cilësisë në arsim.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Mesfushori i Kosovës, Muharrem Jashari, i është nënshtruar me sukses…