Rama: Kemi neutralizuar një sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë, synohej përsëritja e 21 janarit
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka takuar drejtuesit e bankave të nivelit të dytë.
Gjatë takimit, Rama ka deklaruar se gjatë protestës së fundit është provokuar përsëritja e ngjarjeve të 21 janarit, duke thënë se autoritetet kishin informacione për skenarë më të rëndë.
“Ne nga protesta e studentëve në vitin 2018 kemi nxjerrë shumë mësime. Jemi gati të bashkëpunojmë kur kjo histeri t’ia lërë vendin logjikës. Jam gati të flas me kritikët, por jo me kritikët në media që nxisin dhunë. Në asnjë vend tjetër nuk ka ekrane që nxisin dhunë dhe nuk distancohen. Në Itali quhen vandalët e vegjël, kurse këtu janë heronjtë e lëvizjes pseudo-studentore. Kemi qenë të vetëdijshëm se kjo do të ishte një test i madh karakteri. Kemi pasur informacion për skenarë më të këqij, për të provokuar një tjetër 21 janar. Kemi qenë të vetëdijshëm për këtë. Kemi neutralizuar edhe një sulm me dron me eksploziv ndaj Kryeministrisë. Këtu ka qenë vijë e kuqe për të gjithë. Edhe ata që janë me kapuç janë fëmijët e këtij vendi, të verbër e të braktisur ndoshta edhe nga familja e tyre, por janë fëmijët e këtij vendi. Është e frikshme të shohësh se si nëpër ekrane njerëz që përfaqësojnë opinionin publik akuzojnë Policinë e Shtetit për disproporcion të madh”, është shprehur Rama, shkruan “Top Channel”.



