Komisioni për Buxhet nuk e miraton amendamentin për 1 milion euro për protezat e invalidëve të luftës

21 tetor 2026 | 13:23

Komisioni për Buxhet nuk e ka mbështetur amendamentin për ndarjen e një milion eurove shtesë për pajisje, proteza dhe mjete të tjera mjekësore për invalidët e luftës, në kuadër të shqyrtimit të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2026, raporton Ekonomia Online.

Amendamenti i propozuar nga Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Persona të Pagjetur, nuk mori mbështetjen e anëtarëve, pasi pesë votuan për, asnjë kundër dhe pesë abstenuan.

Kryetari i Komisionit për Buxhet, Enver Haliti, e prezantoi amendamentin që parasheh ndarjen e mjeteve shtesë për këtë kategori.

“Komisioni për Mirëqenie Sociale, Punë, Familje, Vlerat e Luftës Çlirimtare, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe për Persona të Pagjetur në nenin 6 të projektligjit ka bërë që ka të bëjë me nenin 32 të ligjit bazik të paragrafit 2, neni 32a, në fund të tekstit shtohet teksti si në vijim. Të shtohet edhe 1 milion euro për pajisjet, protezat dhe mjetet tjera mjekësore për invalidët e luftës”, tha ai.

Ministri i Financave, Hekuran Murati, tha se kjo çështje tashmë është e rregulluar përmes një udhëzimi administrativ të Ministrisë së Shëndetësisë, i miratuar në mars të vitit 2024, dhe se mbulimi bëhet përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore.

“Në lidhje me këtë çështje, tashmë ka rregullim institucional, pra që prej marsit të vitit 2024 është miratuar udhëzimi administrativ, i cili e mbulon këtë këst përmes Fondit të Sigurimeve Shëndetësore. Pra, është miratuar udhëzimi nga Ministria e Shëndetësisë, kështu që kjo çështje tashmë ka zgjidhje, nuk e shoh që është e nevojshme të bëhet një amandament i tillë”, tha Murati.

Ndërkaq Haliti theksoi se sipas informatave të marra nga Ministria e Shëndetësisë gjatë vitit 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta për invalidët e luftës së UÇK-së dhe invalidët civilë të luftës, përmes të cilave është përcaktuar mundësia e mbulimit financiar për protezat.

“Unë kam marrë një informatë nga Ministria e Shëndetësisë ku na kanë njoftuar që me vendim të ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia, në vitin 2024 janë nxjerrë dy vendime të veçanta që kanë të bëjnë me personat me status të invalidit të luftës, UÇK-së, dhe me personat me status të invalidit civil të luftës, ku përmes këtyre vendimeve është përcaktuar edhe mundësia e mbulimit financiar për ndërrimin, mirëmbajtjen dhe vendosjen e protezës sipas kërkesave individuale të aplikuesve, duke respektuar rregullat dhe procedurat e legjislacionit në fuqi. Sipas raporteve të trajtimit dhe rimbursimit, deri më tani nga këto vendime kanë përfituar 103 persona. Do të thotë, janë 58 invalidë të luftës, UÇK-së, dhe 45 invalidë të civilë të luftës. Çka do të thotë që të gjitha kërkesat që kanë ardhur në për mbulimin e shpenzimeve të gjitha rastet 100% janë zgjidhur dhe janë ofruar me përjashtim të një rasti që është në shqyrtim e sipër. Përndryshe, të gjitha kërkesat janë mbuluar dhe kanë marrë zgjidhje”, shtoi Haliti.

Megjithatë, deputeti i PDK-së, Mergim Lushtaku, e mbështeti amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës vazhdojnë të paraqesin ankesa për mbulimin e shpenzimeve të protezave.

“Ky amendament besoj që është i qëlluar. Për vetë faktin, kemi qytetarë kemi këtë rast edhe invalidë të luftës, veteranë të luftës, që na paraqiten vazhdimisht, edhe kanë ankesa në këtë pjesë të pjesës së protezave. Nuk është e vërtetë që janë të mbuluar me të gjitha domethënë financimet për për proteza. Prandaj, besoj është e bazuar edhe kërkesa e komisionit në këtë drejtim dhe mbështetjen time e ka në këtë drejtim. Nuk është shumë e madhe që besoj që ndikon në në buxhet edhe besoj që kjo kategori duhet edhe duhet vlerësohet më shumë në mbështetjen edhe të buxhetit të Republikës së Kosovës”, tha ai.

Edhe deputetja e Aleancës, Teuta Haxhiu, e vlerësoi të qëlluar amendamentin, duke thënë se invalidët e luftës janë përballur me vështirësi në sigurimin e protezave dhe se, sipas saj, shpesh kanë pasur nevojë për ndihmën e miqve dhe të bashkatdhetarëve në diasporë.

“Është amendament i qëlluar. Është një realitet i dhimbshëm nëpër çka kanë kaluar invalidët e luftës, njerëz të cilët ndërrimin e protezave shpesh herë e kanë bërë përmes miqve, shokëve në diasporë, të cilët ju kanë ndihmuar vazhdimisht duke u përkujdesur për shëndetin e tyre, kanë qenë kategoria që kanë qenë anash komplet nga institucionet e vendit”, tha ajo.

Deputeti i LDK-së, Avdullah Hoti, tha se përkrah amendamentin, por vlerësoi se çështja duhet të zgjidhet në mënyrë të përhershme, duke i përfshirë shpenzimet për protezat në buxhetin e rregullt të Klinikës së Ortopedisë në QKUK.

“Unë këtë amendament e përkrah. Mendoj që diskutimi për këtë çështje tregon dështimin tonë si shoqëri dhe si institucione për me e adresuar një herë e përgjithmonë këtë çështje. Qeveri pas qeverie kemi dështuar që ta institucionalizojmë kujdesin për këta njerëz. Në kohën e pandemisë kemi ndarë plot atëherë kur kemi qenë në qeveri ne kemi ndarë plot mbështetje për grupe të ndryshme të shoqërisë, përfshirë edhe për organizatat e dala nga lufta. Atëherë, në vitin 2020, kemi bërë një marrëveshje të shkruar me Organizatën e Veteranëve të Luftës, që kjo çështje të institucionalizohet, të bëhet pjesë e buxhetit të rregullt në klinikën e ortopedisë në QKUK, ata të evidentojnë të gjitha rastet që kanë nevojë për proteza, cilat mund t’i kryejnë vetë, dhe cilat duhet t’i dërgojnë jashtë për trajtim, dhe të futet si pjesë e buxhetit të rregullt të QKUK-së dhe të klinikës së ortopedisë, që të mos ketë nevojë as për amendamente shtesë në komision, as për vendime ekzekutive të qeverisë ose të ministrit të Shëndetësisë. Unë mendoj që kjo është qasje që një herë e përgjithmonë duhet me e adresuar këtë çështje. Unë e përgëzoj ministrin që e ka marrë një vendim në vitin 2024, por nuk është zgjidhje përfundimtare. Nuk mund t’i lëmë këta njerëz nën mëshirën, si me thënë, të vendimeve ekzekutive të qeverisë e të ministrave, ose të amandamenteve në komision. Unë besoj që me buxhetin e vitit 2027, kur të vjen, ta adresojmë ne. Nëse qeveria nuk e sjell të tillë, ta adresojmë ne dhe ta zgjidhim një herë e përgjithmonë atë çështje. Pra, protezat të bëhen pjesë e buxhetit të rregullt të klinikës së ortopedisë, jo të fondit për sigurime shëndetësore, se nuk ka nevojë të shkojnë aty”, shtoi Hoti.

Në të njëjtën mbledhje, anëtarët e Komisionit diskutuan edhe ndryshimin e nenit 5 të projektligjit, që lidhet me kompensimin retroaktiv të përvojës së punës, në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Lushtaku kërkoi sqarime për formulimin e dispozitës, konkretisht për përdorimin e fjalës “mund” në pjesën ku thuhet se Qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktive.

“Po më interesonte neni 5, se kemi pasur diskutime edhe në mbledhjet e kaluara të legjislaturës së kaluar. Që realisht është dashur me pasur një kompensim të përvojës së punës dhe gjykata kushtetuese vetëm pse e ka marrë vendimin për atëherë nuk ishte në planifikim. Tash, ju me këto po mundoheni me i vendos në planifikim. Por përveç kësaj, po më interesonte fjala te fjala te rreshti i parë me propozim të ministrit të financave, “qeveria mund të miratojë pagesën e kompensimeve retroaktiv”. Domethënë, pse fjala “mund” kur besoj që deri sot është nen i ligjit duhet të jetë, duhet të miratojë. Po sigurisht, ndoshta kjo është çështje e fjalive, por besoj që është e rëndësishme edhe teknikisht e përmirësuar”, tha Lushtaku.

Ministri Murati tha se formulimi është çështje juridike dhe se përdorimi i fjalës “mund” synon krijimin e bazës ligjore për kompensimin, pa krijuar detyrime që mund të çojnë në tejkalime buxhetore.

“Kjo është çështje më shumë juridike, do të thosha, sesa financiare. Është gjuhë që përdoret zakonisht, nëpër ligje të tilla, ideja është pra që të krijohet mundësia dhe baza ligjore. Dhe me këtë rast, kjo fjali e krijon bazën ligjore, pra për t’u bërë ky kompensim retroaktiv. Ndërkaq, tek fjala “duhet”, zakonisht nuk hezitojnë edhe juristët, pra që të shtojnë fjalë të tilla obligative marrë parasysh që shpesh herë mund të ketë edhe nuanca në pjesën e mbetur të fjalisë. Edhe nëse ka një gabim, pastaj ai bëhet obligim, pavarësisht nëse është, nëse ka qenë qëllimi i tillë apo jo. Prandaj, çdo herë është fjala “mund” që përgjatë rrugës, pra nëse shihet se mund të, le të themi, përshtatet dhe të mos ketë tejkalime buxhetore apo të mos ketë tejkalime të asaj që është paraparë qëllimi fillestar, pra që është kompensimi sipas gjykimit të gjykatës kushtetuese, kjo veçse e krijon bazën ligjore. Pra, është më se e mjaftueshme për ta bërë një gjë të tillë”, tha ai.

Hoti kundërshtoi këtë formulim, duke thënë se zbatimi i vendimit të Gjykatës Kushtetuese përbën obligim dhe jo çështje diskrecionale të Qeverisë.

“Besoj që në rastin konkret të fjali- fjalia duhet të jetë: “Duhet” ose “Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera”. Jo “mund”. Sepse tash, duke qenë se është akt gjykimi i gjykatës kushtetuese, nuk është më diskrecion. Unë e kuptoj gjuhën afirmative si shkruhen nenet, por në rastin konkret është obligim për ekzekutivin për zbatimin e këtij akt gjykimi. Pra, ose bëjmë “duhet” ose themi “Qeveria ndan mjete për pagesën e tjera”, potencoi Hoti.

Edhe përfaqësuesja e Zyrës Ligjore të Kuvendit u shpreh se formulimi mund të rishikohet duke e hequr fjalën “mund”.

“Edhe unë e kam vërejtur këtë specifikë te projektligji, edhe realisht në këto kishim mundur me e përshtat vetëm me bo qeveria miraton, me e heq këto “mund të”, me e bo me propozim të ministrisë, së financave, që qeveria miraton pagesën e kompensimit retroaktiv”, theksoi ajo.

Lajme të sponsorizuara

✖
Të fundit
Pas dy vitesh bllokimi, projekti për shndërrimin e Shtëpisë së…